Bota Detajet e tragjedisë në Venecia, pasagjerët bërtisnin për ndihmë. Një i sapolindur...

Detajet e tragjedisë në Venecia, pasagjerët bërtisnin për ndihmë. Një i sapolindur mes 21 viktimave

Një apokalips. Kështu e kanë cilësuar autoritetet italiane tragjedinë rrugore më të rëndë, të shënuar ndonjëherë pranë qytetit të Venecias.

Një autobus me turistë, u përplas më një barrierë në mbikalim dhe ra nga lartësia e 15 metrave pranë binarëve te hekurudhes në zonën e Mestres, duke marrë më pas flakë.

Të paktën 21 vetë janë konfirmuar të vdekur, mes të cilëve edhe fëmijë të vegjël, mes tyre një i sapolindur prej pak muajsh, një 12-vjeçar dhe një vajzë minorene.

15 persona të tjerë mbetën të plagosur, nga të cilët, 5 në gjendje të rëndë.

5 ukrainas, një gjerman dhe shoferi italian janë mes viktimave, siç bëri të ditur perfekti i qytetit Michele Di Bari. Shtetas austriak dhe spanjollë e kroatë ishin gjithashtu pasagjerë të udhëtimit fatkeq. Kryebashkiaku Luigi Brugnaro e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të madhe, ndërsa foli për një skenë apokaliptike.

39 persona gjendeshin në autobus, në momentin që ai u rrëzua rreth orës 19:45 të së martës. Siç thuhet, ai ishte marrë me qira nga një kompani lokale për të çuar turistët nga qendra historike e Venecias drejt një kampingu pranë zonës së Margera.

Besohet se mjeti ishte i llojit hibrit, me bateri elektrike dhe gaz metani. Sipas raportimeve, pas përplasjes ka pasur shpërthim të gazit, e po ashtu bateritë kanë marrë flakë duke e bërë operacionin e kërkim-shpëtimit në autobus, tejet kompleks.

Dëshmi dramatike flasin për njerëz që ulërinin për ndihmë, por flakët e larta penguan shpëtimin e tyre.

Shkaku i aksidentit po hetohet, por një prej hipotezave që po merret në shqyrtim është mundësia që shoferi 40-vjeçar të jetë ndjerë keq pak para ngjarjes. Nga inspektimi i rrugës, rezulton se nuk ka shenja të frenimit para aksidentit.