Një tragjedi e vërtetë. 46 persona, shumica shqiptarë, kanë humbur jetën në një aksident rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në perëndim të Bullgarisë.
Autobusi i nisur nga Stambolli me destinacion Shkupin, dyshohet se u përplas me barrikadat e rrugës dhe më pas u përfshirë nga flakët. Mes viktimave janë edhe 12 fëmijë, ndërsa janë shpëtuar vetëm 7 persona, të cilët kanë dalë nga pjesa e pasme e autobusit.
Mësohet se në këtë aksident është shuar një familje e tërë me 12 anëtarë, përfshi edhe dy fëmijë binjakë. Në mesin e viktimave janë edhe dy shtetas të huaj, nga Belgjika dhe Serbia.
Nuk dihen shkaqet e aksidentit, por përjashtohet mundësi e një përgjumje të shoferit pasi rreth 15 minuta më herët ishin nisur nga një pikë karburanti, ku kishin pushuar.
Në këtë udhëtim ishin nisur 4 autobusë të së njëjtës kompania “Besa Trans”. Autobusi i aksidentuar ka qenë i fundit në radhë.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se mjeti po kthehej në Shkup pas një udhëtimi në fundjavë në qytetin turk të Stambollit.
“Kjo është një tragjedi. Ne nuk e dimë nëse të gjitha viktimat janë nga Maqedonia e Veriut, por supozojmë se është e tillë sepse autobusi është i regjistruar në vend”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në një intervistë për mediat.
Pas mbërritjes në vendngjarje, ministri i Brendshëm bullgar Bojko Rashkov tha se trupat e viktimave ishin djegur plotësisht.
“Pamja është e frikshme, e frikshme. Kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë,” u tha ai gazetarëve në vend.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka kontaktuar edhe me homologun e tij bullgar.
Nuk kanë munguar edhe mesazhet e ngushëllimit nga krerët e politikës në Shqipëri, si kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, kryetari i PD-së Lulzim Basha.