Aktualitet Gjykata pushon kallëzimin e Metës, Dvorani: Ka ikur koha e gjyqeve popullore

Gjykata pushon kallëzimin e Metës, Dvorani: Ka ikur koha e gjyqeve popullore

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar padinë e Presidentit Ilir Meta ndaj ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Përfaqësuesit ligjorë të Presidencës dhe vete Dvorani u paraqitën mëngjesin e sotëm pranë Gjykatës së Posaçme, për të mësuar vendimin.

Vendimi i Gjykatës erdhi pas kërkesës së Prokurorisë se Posaçme për pushim e padisë.

Sipas SPAK nga hetimi i kryer ka rezultuar se nuk ka vepër penale në veprimet e pretenduara nga kreu i shtetit. Meta u përplas me Dvoranin në nëntor të vitit 2019 pas interpretimeve të ndryshme të Kushtetutës në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti pretendoi në padi se Dvorani kishte “shpërdoruar detyrën” dhe “përvetësuar titullin apo detyrën shtetërore”, duke mos respektuar radhën e dërgimit në Presidencë dhe Kuvend të listës me kandidatët e Kushtetueses.

Në një prononcim për mediat pas dhënies së vendimit, Dvorani tha se nuk ka përplasje me asnjë institucion dhe se ka ikur koha e gjyqeve popullore.

“Unë nuk kam përplasje me asnjë institucion, ushtroj detyrën jam gjyqtar. Është jashtë realitet të mendoj që ka përplasje. Kush mendon se ka përplasje i ka për vete.

Është e drejta e zotit Meta që të ketë interpretimin e tij. Nuk jam kurrkush ta gjykoj dhe paragjykoj. Janë institucionet ato që vendosin. Koha e gjyqeve popullore i përkasin një regjimi të kaluar. Gjyqet nuk bëhen në media”, u shpreh Dvorani.

Çështja është pezulluar gjithashtu edhe për ish-ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në kallëzimin e ish kreut të shtetit.

Sakaq, përfaqësuesi ligjor i president, Bledar Dervishaj tha për mediat se kjo çështje duhet të ishte rikthyer për hetim, ndërsa shtoi se do të presin vendimin e zbardhur të gjykatës.