Bota “Dhamë 30 000 paund për udhëtimin e vajzës”, flasin prindërit e vietnamezes...

“Dhamë 30 000 paund për udhëtimin e vajzës”, flasin prindërit e vietnamezes që ngriu në kamionin për Angli

26-vjeçarja vietnameze Pham Thi Tra My është mes 39 viktimave të kamionit të tmerri në Angli. Ajo i dërgoi nënës së saj disa mesazhe të dhimbshme në momentet e fundit të jetës duke i thënë se nuk merrte dot frymë dhe se po vdiste.

CNN ka shkuar tek shtëpia e të resë duke intervistuar prindërit, të cilët janë të kapluar nga dhimbja.

“Trafikantët na thanë se do të rezervonin një vend VIP për vajzën tonë dhe për këtë neve na u desh të paguanim 30 000 paund që vajza jonë të mbërrinte shëndosh e mirë pa vuajtje në Britaninë e Madhe”, shprehet babai duke theksuar se tani humbën edhe vajzën edhe paratë.

“Ata nuk na treguan se me çfarë do të udhëtohej, por këmbëngulën se do të ishte një udhëtim shumë i sigurt”, vijoi babai.

Mediat britanike raportojnë se është një numër i madh familjesh që ndodhen në ankth për të afërmit të tyre pasi ishin nisur për të shkuar në Angli.

Një ditë më parë u publikuan mesazhet e 26-vjeçares ndaj nënës teksa i thoshte se ishte duke vdekur për shkak se nuk merrte dot frymë.

“Mami më vjen keq. Udhëtimi im nuk përfundoi me sukses. Jam duke vdekur, pasi nuk marr dot frymë”, i shkruan ajo ndër të tjera të ëmës.

Policia britanike gjeti 39 viktimë në kamionin frigorifer, për të cilët tha se ishin me origjinë nga Kina.

Megjithatë duhet të përfundojë identifikimi i plotë i viktimave për të patur një panoramë më të qartë të origjinës së tyre.