Sport “Dhimbje koke” për Silvinjon, pas Hysajt, dëmtohet edhe Mario Mitaj

“Dhimbje koke” për Silvinjon, pas Hysajt, dëmtohet edhe Mario Mitaj

Elseid Hysaj do të qëndrojë jashtë fushës së blertë për të paktën 1 muaj. Fati nuk i ka buzëqeshur  futbollistit të kombëtares që sapo ishte kthyer si protagonist me skuadrën e Lazios.

Pas dëmtimit në ndeshjen me Kaljarin, shkodrani bëri të gjitha ekzaminimet mjekësore dhe sipas raportit të mjekëve, dëmtimi është i një shkalle të mesme. Teste mjekësore kanë zbuluar se Hysaj ka marrë një dëmtim në kofshën e majtë dhe për t’u rikuperuar duhet të paktën 40 ditë. Në dyshim mbetet prezenca e tij në ndeshjet e para kualifikuese në Kupën e Botës e aq më tepër kur përballë do të ketë gjigandët e Anglisë ne Uembli.

Një tjetër lajm i keq për trajnerin Silvinjo vjen dhe nga Arabia Saudite aty ku Mario Mitaj ka marrë një goditje dhe është dëmtuar. Një nga lojtarët e pazëvendësueshëm në formacionin e brazilianit ka pësuar një dëmtim në muskujt e poshtëm abdominal dhe aktualisht po i nënshtrohet terapive përkatëse. Lajmin e ka bërë publik vetë faqja e Al Ittihad në faqen zytare të klubit, ku mes të tjerash tregon se rikthimi i futbollistit në stërvitje do të jetë në varësi të progresit të tij.

Megjithatë siç raportohet, nuk është diçka serioze dhe një dëmtim i tillë nuk parashikohet ta lë jashtë fushës për një kohë të gjatë. Për këtë arsye trajneri Silvinjo shpreson që ta ketë gati për duelin e parë me Anglinë në datën 21 mars.