Për të dhënë disa mendime orientuese në lidhje me ringritjen e “Muzeut Historik Memaliaj”, po i rikthehem për t’iu referuar shkrimit tim, “Muzeu i munguar i qytetit Memaliaj!”, të botuar tek gazeta “Tirana Observer”, më 14 qershor të vitit 2013.
Në këtë shkrim, nga ish=shkrimi, do të përfshij vetëm fragmentet që përshkruajnë ngritjen e pavijoneve me ambientet e tyre përkatëse, për arkivimin e dokumentave dhe objekteve origjinale apo ato improvizuese, duke bërë edhe shtesat e duhura, nisur nga rëndësia e këtij muzeu, që do të përfaqësojë vlerat e të gjitha trevave të kësaj bashkie. Shprehem kështu, pasi ish muzeu në qendër të qytetit, i cili ka qenë, jo shumë larg përballjes së shtatores së minatorit të sotëm, i kushtohej vetëm minierës.
Gjithmonë, materializimi i çdo ideje, varet edhe nga madhësia e ambientit ku do të caktohet për ta përshtatur për muze. Më i përshtatshëm mendoj se duhet të jetë në një nga ambientet e katit të parë të Pallatit të Kulturës së qytetit, ku sot është dhënë me qira për bilardo, derisa të vij momenti i përshtatshëm për të ndërtuar një godinë të veçantë, në një nga vendet që do të shikohet si më i përshtatshëm nga qeverisjet e ardhshme të bashkisë.
Për të vazhduar më tej, duke dhënë disa mendime në lidhje me ringritjen dhe pasurimin e këtij muzeu, shprehem se kërkohet ngritja e një grupi pune siç e mësojmë se kanë filluar, por pa harruar që të gjejnë në edhe të tjerë që gëzojnë njohuri përkatëse në fusha të ndryshme, për informacionet dhe materialet që mendohen se duhet të pasqyrohen në këtë muze.
Si në çdo muze, dihet që është mbështetur dhe ndërtuar në disa pavijone sipas etapave të ndryshme historike dhe të zhvillimit nëpër fusha të ndryshme, të një komuniteti apo shoqërie. Muzeumi duhet filluar me Pavijonin e Lashtësisë, Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Pavijoni i Minierës, Pavijoni i Etnokulturës, Pavijoni Sportiv, këndi i besimeve fetar, këndi i të persekutuarve, Pavijoni i Artit e Kulturës, këndi i botanikës, i zoologjisë, fotografi të fosileve disa miliona vjeçare të cilat ndodhen në një pllajë shkëmbi buzë lumit Vjosë, afër Shkëmbit të Balenës dhe kënde të tjera që mund të sugjerohen përgjatë punës studimore të grupit të punës që ka marrë përsipër vënien në jetë të këtij projekti.
Në Pavijonin e Lashtësisë, është me shumë interes që të sigurohen statuja dhe mbetje origjinale (si qeramika, monedha, qypa, sopata guri, qyngje prej qeramile, …etj), por kjo është tepër e vështirë për kohën dhe për çdo kohë, pasi kërkon kosto të larta, për t’i mbrojtur nga ajo pjesë e pandërgjegjshme të shoqërisë shqiptare dhe jashtë saj, të cilët merren me trafikimin e tyre!Gjithësesi, nëse bëhet e mundur prania e disa relikeve origjinale, do jetë një vlerë shumë e madhe dhe e veçantë për muzeun në fjalë. Për t’mos e lënë të varfër këtë pavijon, duhet të sigurohen kopje të shtatores së Vjosës, Erosit dhe ndonjë shtatoreje tjetër të gjetur në trevën e Bashkisë Memaliaj, të cilat ndodhen në pavijonet e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Kuptohet, që me anë të një leje zyrtare, të merren kallupe nga origjinalet, të cilat të punohen nga ndonjë skulptorë.
Padyshim që duhen siguruar fotografi të përmasave të ndryshme, jo vetëm të atyre relikave që për arsye sigurie nuk munden të jenë fizike në këtë pavijonin përkatës, por edhe të pamjeve të ndryshe që dëshmojnë vendbanimet e hershme, varret ilire, kalatë, mozaikët, shpellat e eremitëve, gjurmë tubacionesh prej qeramike të ujësjellsave të kohës së hershme, mulli ere i hershëm, fragmente të rrugëve antike, hambare dhe kanale prej guri, furra pjekjesh të hershme, ku piqeshin poçeri, tjegulla, statuja dhe objekte të tjera, …etj. Nëse do të skanoni Enciklopedinë e Tepelenës, me studiues dhe botues, akademikun. Prof. Novruz Xh. Shehu, tek studimet për çdo trevë të rrethit të Tepelenës, ku bëjnë pjesë edhe ato treva që sot janë në varësi të Bashkisë së Memaliajt, do t’i gjeni tek trevat si: Amanikaj, Arrëz të Madhe, Buzë, Bylysh, Gllava, Damës, Fshati Memaliaj, Ilirasi, Kalemaj, Kalivaç, Kallëmb, Kamçisht, Kashisht, Luadhaj, Luftinjë, Maricaj, Qeserat, Rabie, Shalësi, Toçi, Toskmartallozi, Vasjari, Xhafaj, Zhapokika, Zhapokika e Sipërme, Zhulaj dhe ndonjë trevë tjetër që mund ta kem harruar për momentin. Për t’jua bërë më të lehtë, do jua dërgojë skanimin e tyre, në një shkrim tjetër dhe enkas për këtë projekt.
Pavijoni i Luftës Nacional-Çlirimtare, ku të pasqyrohet me pamjet dhe fotografitë e kapedanëve me çetat e tyre, siç është figura e luftëtarit, Tafil Buzi dhe të tjerë. Padyshim, në këtë pavijon do të përfshihen edhe emrat e të gjithë dëshmorëve, partizanëve, fotografi të tyre individuale me çetat dhe batalionet ku ata kanë marr pjesë. Pamjet nga luftimet përgjatë Luftës së Dytë Botërore si nga partizanët dhe nga pushtuesit, të cilat janë përjetuar në gjithë trevat e Bashkisë Memaliaj. Mund të përfshihen edhe pamjet nga lufta italo-greke, që u zhvillua në malin e Shëndëllisë, ku italianët humbën shumë thellë. Pamjet mund të sigurohen, si nga arkivat shtetërore, por edhe në internet. Nuk duhet harruar, që në këtë pavijon të kenë këndin e tyre edhe rilindasit e kësaj zone, të cilët kanë marr pjesë në lëvizjet kombëtare, siç ishte ajo e shpalljes së pavarësisë, hapjen e shkollave nga Gjyshërit Bektashinj, pjesëmarrje, në lidhjet, marrëveshjet, kongreset atdhetar e patriotike, në periudhat, para dhe përgjatë luftës së Parë dhe të dytë Botërore.
Në krahun e majtë të hyrjes së muzeut ose në një ambient tjetër, të improvizohet galeria e parë, e cila të jetë e ndërtuar me armaturë prej druri dhe veshjet anësore të jenë, po me drunj të vjetër. Balli i galerisë, mund të realizohet me një kompesatë të presuar, ku të vishet e gjitha me copa qymyri, të cilat do të ngjiten afër dhe mbi njëra-tjetrën, për të dhuruar një pamje sa më origjinale. Dyshemeja duhet të jetë me argjilë të përzier me pluhur qymyri, mundësisht të jetë e ngjeshur. Në faqet e galerisë, të varen veglat e punës së asokohe si: sqep i minatorit, barominë, sopat, sqepar, çekiç, pinca, darë, kazëm, lopatë, kallup dinamiti (i sajuar) me një kapsulë ku lidhen në skaje dy tela minash, një tufë tela minash. Të sigurohen pagure uji, gaveta, lugë dhe pirun, të cilat të jenë prej alumini apo prej druri, siç përdoreshin në atë kohë. Një trastë prej rrobe apo të punuar prej leshi, çorape leshi, opinga dhe këpucë të vjetra edhe pse me shuall të hapura dhe të grisura, ku mund të mbahen të dyja të lidhura me anë të një të tel të sertë apo teli minash të shumëfishuar (lidhje për momentin), rroba të vjetra për të improvizuar të asokohe. Duhet një karrocë prej druri, të ndërtuar me dru të vjetër, me rrotë prej druri apo prej metali. Duhet të sigurohet një samar dhe dy arka të vjetra prej druri, të cilat shërbenin për të transportuar qymyrin në atë kohë, nga “Sektori i I-rë” për tek rrepet e Dervenit, ku aty grumbullohej dhe merrej me kamionët e kohës, të cilët qarkullonin nëpërmjet rrugës në fushën e Damsit, Urës së Dragotit dhe më tej.
Në krahë të improvizohet një kasolle në formë piramide, e cila të jetë me thupra, pasi ishte kasollja e parë që u ndërtua nga nënë Perua, e cila jetonte në fshatin Kashisht, por për të evituar rrugën e gjatë, lodhjen dhe për të fituar kohë, ndërtoi kasollen ku e përdorte me bashkëshortin e saj, përgjatë javës dhe në ditë pushimi, shkonin në fshatë. Kjo solli edhe idenë për familjet e tjera, për të ndërtuar barakat e para, ku u strehuan 14 familjet e para, të cilat më vonë u vendosën në qytezën, që po ndërtohej me hapa shumë të shpejta. Dihet që në brendësi të kësaj kasolleje, të improvizohet një dyshek zhaku apo prej capa rrobash të ndryshme, të mbushur me kashtë. Jashtë në hyrje, të vendoset një muzlluk dhe një pirosti ku mbi atë, të jetë një enë e vjetër, siç janë kusitë prej bakri, …etj.
Në krahë, mund të vendoset një profil armature metalike në formë harku, e cila u aplikua në vazhdim, ku të jetë e fiksuar në një nga dy tranvesat ku do të vendosen dy shinat që do të mbajnë një vagonë metalike. Duhet të jetë e hapur, ku të duket armatura si skelet, pasi nuk është e nevojshme të improvizohet, ngaqë do e shikojnë në hyrje, tek galeria fillestare me armaturë druri. Kjo realizohet nëse gjenden objektet e vjetra në fjalë, në një nga minierat e sotme që ende funksionon. Në këtë pjesë ia vlen të pasqyrohen kuti duhani, çibuk, çakmak, orë xhepi, çaki, orë dore e vjetër nga sistemi kaluar, radio dore të vjetra, paketë duhani Partizani apo Dukagjini (ose të imitohen), çizme dhe pece, peliçe, pelerina treçerekëshe prej mushamaje, helmeta lëkure dhe plastike që përdornin minatorët, kominoshe prej xhinsi, çantë prej zhaku, rrobe apo mushama ushtarake, ku mbanin disa nga veglat dhe ushqimin e tyre. Në afërsi, të vendoset një tryezë, ku të vendosen dy-tre copa qymyrguri, duke u shoqëruar me legjendën përkatëse të sektorëve dhe puse që shfrytëzoheshin në ato vite, ku dihet që janë për efekte improvizuese dhe orientuese. Duhen vendosur edhe një numër i konsiderueshëm fotografish që pasqyronin jetën e punëtore, të minatorëve, punëtorë të dalluar, heronjë pune të vlerësuar nga ai sistem, vegla pune, …etj. Padyshim që do të ketë edhe pamje fotografike nga reparte të ndryshme ndihmëse të sipërfaqes, si ajo arganellave, axhensorëre të puseve, repartet elektro-mekanikëve, llambisteritë, reparti i druve për armaturë, Fabrikës së Pasurimit, ofiçinave, peshoreve, sepove të dinamitit, bunkerët e ngarkimit të ngarkimit, …etj.
Është me shumë interes, që të ndërtohet Pavijoni i Etnokulturës, ku të bëhet ekspozimi i veshjeve popullore të Labërisë dhe Toskerisë për burra dhe gra, siç janë ekspozimi i fustanellave, pantallonave të shajakta, gunë, shark, llaban, mitancohe, jelek cohe, plotkaja, qostek, polkë, xhamadan, qylaf, cibun shajaku, jelek i hapur, hirka, brez prej leshi, çorape leshi të shkurtra dhe të gjata, opinga, këpucë të llojit qorsolet, çitjanet që na ngelen si dhuratë që nga koha e pushtimit otoman, pa harruar edhe kostume popullore dropillite që mbanin pak memaliote, që ishin me origjinë nga kjo zonë, pa harruar edhe ndonjë fyell, që i ka shoqëruar që nga lashtësia. Përmenda gjithë këto pasi gjyshërit tanë kanë zbritur me këto veshje nga treva të ndryshme, të cilat u ndërthurën kulturat dhe traditat e tyre, duke i dhënë kështu më shumë jetë dhe larmi qytezës Memaliaj, derisa mori formën e qytetit. Punime me dantellë, qëndisma, qylyma, rrugica, një avlëmend ose siç njihet ndryshe tezgjah i vjetër, një furkë i mbushur me një shtullëngë leshi në një krah duke kaluar i tjerrur në një gjalmë të mbledhur në krahun tjetër, një triko leshi apo me spango duke e punuar me shtiza, biza dantelle, një rrugicë apo qilim, që bëhej nga leshi i nxjerrë nga përpunimi i xanës ku shquheshin nënat Mirvete Mema, Shemo Guma, Shero Goxhaj Murati. Mundësisht, kjo të bëhet duke imituar një odë tradicionale me një oxhak, të shtruar me shilte dhe velenxa, një sofër në mesë dhe një dybek. Pa harruar të varet diku, një armë e vjetër dhe një kërrabë bariu.
Pavijoni Sportiv. Ky pavijon është nga më të pasuruarit pasi futen edhe sportet në Memaliaj duke filluar si ato ilegal duke improvizuar një shtangë me rrota të vjetra vagoni, gira të formuara nga gjyle, llastika, thes boksi prej mushamaje të mbushur me rërë, doreza boksi të bëra me mushama ushtrie të mbushura me lesh. Mundësisht, një fotografi të babait të memaliotit, Vasil Bita, i cili ka qenë boksier në Amerikë dhe u preh në Memaliaj. Kam patur fatin që të flas me këtë boksier, kur kam qenë në moshë të vogël, pasi ishim komshinj. Uniforma sportive nga futbollistë të ndryshëm që kanë luajtur duke filluar nga veteranët, këpucë sporti, geta, …etj. Do jetë me shumë interes që të dhurohen uniforma edhe nga ata që kanë veshur lojtarët e kombëtares si Mujo Targaj, Foto Strakosha, atyre që kanë luajtur më shpresat si Ferdinant Kashri dhe portierët Jorgo Fero, Arjan Puto, Thomas Strtakosha dhe lojtarë të tjerë memaliotë, që janë me dhjetra që nga koha e themelimit të futbollit dhe në vazhdim. Tek ky pavijon sportiv, të afishohen fotografitë e të gjitha sporteve të tjera, që nga themelimi i tyre e deri në ditët e sotme duke e pasuruar me ekspozimin e disa bluzave, uniforma sportive, këpucëve të futbollistëve veteranë, volejbollisteve, …etj. Kemi dhe boksierin profesionist, Majkëll Kalemi, i cili ka qenë i suksesshëm boksit
Të improvizohet edhe një top letre të mbështjellë me plasmas të lidhur me tel minash, një top llastiku dhe një palë galloshe të cilat ishin pajimet e para të shumë futbollistëve që luanin në vegjëlinë e tyre nëpër sheshet dhe rrugët e qytetit. Të bëhet e mundur mbledhja e vlerësimeve që janë dhënë si ekip, siç është kupa e kampionatit që fitoi për Kategorinë e II-të, që e çoi ekipin Memaliaj për herë të parë të luaj në Kategorinë I-ë. Me shumë interes janë vlerësimet “Mjeshtër Sporti”, që janë dhënë për ish futbollistët Karafil Caushi, Mitat Shehu, Ferman Haska, Mujo Tarka. “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Këpuca e Arte”, që fitoi futbollisti, Arben Shehu si golshënues, vlerësim ky që iu dha prej Federatës së Futbollit Shqiptar. Duhen siguruar edhe kupat që janë fituar nga ekipe pionierësh apo të rinjsh dhe vlerësime të tjera nëpër spartakiadat që zhvilloheshin ndërmjet ndërmarrjeve, lagjeve, klasave të shkollës, spartakiadave, ..etj. Ja vlenë të vendosen edhe fotografi të aktiviteteve të ndryshme sportive, të të gjitha mosheve, si ato zyrtare, ndërmjet ndërmarrjeve, shkollave, lagjeve dhe midis fshatrave, që zhvilloheshin në Memaliaj. Padyshim që duhen vendosur edhe fotografi nga aktivitetet me lojëra popullore. Duhen siguruar edhe pamje të sportdashësve që mbështesnin këto sporte, të cilët ishin një mbështetje e madhe për kohën por edhe që ngelen për çdo kohë. Për këtë gjest fisnik, meritojnë një mirënjohje të thellë dhe vend në këtë muze.
Vlerësimet që ka marrë prof. Baftjar Varfi si Kampion Kombëtar për mundje në dy herë radhazi në vitet 1961 dhe 1962 duke debutuar për ekipin e Dinamos. Mundësi Afuz Halili, i cili ka debutuar për dy vjet rresht për Klubin Sportiv Dinamo dhe me sa mbaj mend, ka dalë edhe nënkampion për peshën e tij. Genti Hoxha në peshëngritje, duke zënë vendin e dytë, dhe vendin e tretë në stilin e lirë në rang kombëtar. Vlerësimet që ka marrë memalioti Arjan G. Shehu në sportin e Taekwon-do dhe është shpallur kampion i Greqisë, i Ballkanit, nën kampion i Evropës, i cili ka ngritur dy herë flamurin shqiptar! Memalioti Julian Cacaj, i cili është një tjetër Mjeshtër në Taekwondo. Francezo-shqiptari Herli Malkaj, nip me origjin nga Memaliaj duke dalë dy herë kampion në Taekwondo në Francë për moshat e vogla. Fotografi të ndryshme, jo vetëm që pasqyrojnë sportin e futbollit, por edhe sporte të tjera si atë të mundjes duke vendosur një fotografi të Polikron Todhes, i cili ka krijuar ekipin e mundjes në Memaliaj. Nëse gjendet ndonjë fotografi të këtij ekipi, do jetë akoma më mirë. Fotografi nga gjimnastët siç janë, Maksim S. Shehu, i cili e ka filluar si pionier akrobat dhe të tjerë, të cilët duhen identifikuar.
Diku në këtë pavijon, të mos harrohet ekspozimi i sportit të gjuetisë, duke filluar nga kallamat dhe fillodoret e peshkimit, ku këto të fundit ishin me grep apo flutur improvizuese, perzevol, kosh peshkimi, pushkë deti, maskë deti, llastiqe, ndonjë çifte e vjetër përkrah një gjerdani me fishekë çifteje, improvizimi i ndonjë laku të ngritur, lëkurë të hapura lepuri, kunadhe apo ndonjë shpend i balsamosur. Tek bletëritësit, të vendoset një koshere bletësh, një makinë mjalti, dy tre korniza me pite të varura, një tymëse bletësh, një ruletë që përdorej për ngjitjen e dyllit nëpër telat e kornizave, një rrotë prej dylli që e bënin në formën e bukës së misrit. Një palë letra, një kuti shahu, një kuti tavlle, domino, dy zare, xhola dhe komça, një karrocë me kuzhineta, një palë cingël dhe ndonjë lojë tjetër, që nuk më vjen ndërmend për momentin.
Në muze duhet të ndërtohet edhe kënd i të Persekutuarve, duke ekspozuar fotografi të individëve dhe të familjeve të tyre, lista me emrat e atyre që janë persekutuar më shumë, si atyre vendas dhe të atyre që kanë ardhur si të internuar,…etj. Nuk duhen harruar edhe luftëtarët e çetës së kryengritjes së Zhapokikës dhe fshatrave përreth.
Një vëmendje të veçantë, duhet të tregohet edhe për ndërtimin e këndit të besimit fetar duke ekspozuar fotografi të mekameve, teqeve dhe të baballarëve që kanë shërbyer në kohëra, në të gjithë Bashkinë Memaliaj. Një nga këto është në Memaliaj origjinë, që shtrihet në kodër. Po në këtë vend të merren fotografi të themeleve apo truallet ku ka qenë Manastiri i Gumës, Kisha në Dedgjonaj, pamje të teqes së vjetër dhe mekamit.
Ndërsa nga qyteti Memaliaj që shtrihet në fushë të ekspozohen pamje nga kisha ortodokse që është ndërtuar sot, të misionerëve kristianë dhe besimeve të ndryshme që vinin në Memaliaj, të xhamisë, ikona të vjetra, të cilat i kanë patur disa familje të krishtera nëpër shtëpitë e tyre. Di që nga koha e monizmit, duke i parë dhe i prekur edhe me duart e mia dy ikona që i kapnin më shumë se tetë shekuj, ku një familje e besimit kristian i mbante të varura në dhomën e gjumit. Nuk po e jap emrin këtu mbasi keqbërësit mund të shkojnë menjëherë dhe ja shpërthejnë portën shtëpisë, për t’i grabitur, por mund të gjej një rrugë komunikimi më të sigurt me stafin për këto ikona, për më tej varet nga dëshira e atyre që i kanë në pronësi. Nëse është e pamundur, për arsye që kuptohen, mund të bëhen kopje të tyre apo ikona të tjera dhe për këto, shquhet piktori i talentuar memaliot, Gjergji Meta duke i punuar deri në miniaturë, që në dukje janë si origjinalet.
Pavijoni i Artit dhe Kulturës, do të përfshijë emrat e aktorëve, regjisorëve, udhëheqësve artistikë, instrumentistët e trupës dhe të bandës frymore, këngëtarët, pristigjiatorët, skenaristët, operatorët e shfaqjeve të filmave në sallën e kinemasë dhe ata në lëvizje fshatë më fshatë. Nuk duhen harruar, jo vetëm aktorët që janë me origjinë nga trevat e kësaj bashkie, por edhe ata që kanë dalë nga skena e Pallatit të Kulturës dhe ato të Vatrave të Kulturës. Me ndërrimin e sistemeve, kanë dalë këngëtar dhe grupe të zhanreve të ndryshme, të cilët duhen identifikuar dhe të përmenden në këtë pavijon.
Pavijoni Arsimit, fillon me fotografi me ata individë dhe ato treva, që ndihmuan për të hapur shkollat e para dhe deri në vazhdim. Nëse gjendet një bankë e vjetër shkolle, një mellanore kauçuku që mbante bojën e shkrimit dhe një penë me xinë, duke i lënë mbi bankë, ku do të ketë edhe një abetare të vjetër, një makinë për mbrehjen e lapsave, goma, një shami pionieri, përparëse me jakë të bardhë, dhjetra fotografi, …etj.
Tek Pavijoni i Krijimtarisë, mund të ekspozohen punime artistike në dru, qeramikë, alabastër, gips, piktura dhe botime me krijues memaliotë dhe nga trevat e kësaj bashkie.
Arkitektura dhe urbanistika duhet të kënë këndin e tyre duke bërë të mundur sigurimin dhe ekspozimin e fotografive, planimetrive dhe hartave që nga dita e parë e deri në ditët e sotme, mundësisht që nga godina e parë, rruga e parë, tregu i parë, parqet, ndërtesat social kulturore siç janë Pallati i Kulturës, shkollat, banka, posta, komiteti ekzekutiv, posta e policisë, bulevardet, teleferikët, lundruar, pasarelat, muzeut, …etj. Për të ndihmuar kujtesën, disa nga këto pamje, i ka ilustruar piktori, Namik Caushi.
Ndërsa në këndin e shërbimeve sociale, janë shumë fotografi që pasqyrojnë, punën e punonjësve në çerdhet, kopshtet, njësitë tregtare, postare, komunale siç janë stilistët e rrobave, flokëve, këpucëve, orëndreqës, mirëmbajtësit e këpucëve ose ndryshe llustraxhinjve dhe shërbimin sanitar. Në këtë kënd, mund të vendoset një makinë qepse e vjetër me pajiset e tjera të rrobaqepësit, siç janë: gërshërët e madhësive të ndryshme, metër, vizore, gishtës, hekur, …etj. Nuk duhen harruar edhe pajisjet e këpucarit si: kudhra, çekiçi, dara, thika, kallupet,…etj. Nëse vendoset edhe një kuti, e cila u shërbente lustraxhinjve për mirëmbajtjen e këpucëve, është një vlerë e shtuar historike, për këtë kënd.
Duhet të ngrihet edhe këndi i shërbimit shëndetësor, ku aty mund të pasqyrohet me anë të fotografive.
Në këndin e industrisë dhe të transportit, të pasqyrohet me anë të fotografive. Në këtë kënd të pasqyrohen pamje nga Fabrika e Tullave, Fabrika e Fosforit, Parku i Transportit dhe i Mallrave, Ndërmarrja e Bonifikimit dhe Ekonomia Ndihmëse (ferma dhe pularia).
Në këndin e të dhënave për popullsinë e qytetit tonë, që nga themelimi i saj e deri më sot, krahas të dhënave statistikore, të bëhet e mundur edhe ekspozimi i kopjes së një certifikate të lindjes dhe një fotografi të asokohe, të shtetasit shqiptar Gëzim Bega, me vendlindje dhe banues në qytetin Memaliaj, ku me ardhjen e tij në jetë, më 27 shkurt të vitit 1986, legalizoi dhe zyrtarizoi arritjen në tre milionë të popullsisë shqiptare, që nga periudha e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Një tjetër kënd me interes për vizitorët vendas dhe të huaj, është edhe ajo e promovimin të bukurisë së Vjosës dhe plazhit, përgjatë rrjedhjes së saj në Bashkinë Memaliaj. Këtu duhen vendosur edhe fotografi të vjetra të memaliotëve, që kanë frekuentuar plazhin e Vjosës ndër vite. E shikoj me shumë interes, që në këtë ekran, të bëhen të njohura edhe pamje nga bukuritë e relieveve të ndryshme të Bashkisë, faunës bimore, ujore dhe atë shtazore.
Nga shërbimet vullnetare, siç ishin aksionet në ekonominë ndihmëse, të ndryshme në lagje dhe komunitet (pastrim, gjelbërim, kënde sportive), pa harruar dhe fortifikimet në mbrojtjen ushtarake.
Shumë e veçantë, do të jetë edhe vendosja e një libri, ku të jenë të gjithë emrat, jo vetëm të atyre memaliotëve nga qyteti , por edhe nga të gjithë trevave e bashkisë, që jetojnë dhe punojnë në emigracion. Një shembull i tillë, gjendet nëpër muzeumet e qyteteve dhe komunave të Gjermanisë, për banorët e tyre, që kanë emigruar në Amerikë, të cilin e lakmonte e gjithë bota në atë kohë. Kurse rasti tjetër është tek ishulli Ellis në Nju Jork, vendi ku shkelnin për herë të parë emigrantët dhe shpërndaheshin. Po në këtë ishull, është ngritur muzeumi dedikuar këtyre emigrantëve, ku midis shumë sendeve të tyre si, valixhe pre druri, sepete, …etj, aty janë të arkivuara të gjithë emrat e këtyre emigrantëve. Padyshim që janë ende të shtypura në regjistrat përkatës të asokohe, por për ta bërë më të lehtë dhe të shpejtë shërbimin, janë hedhur të gjitha të dhënat edhe në sistemin kompjuterik.
Ndoshta, do ju duken shumë, nga çfarë shkruajta në këtë shkrim orientues, por kuptohet që realizimi i tyre, do të bëhet në varësi të madhësisë së ambientit ku do të projektohet muzeu dhe të buxhetit që do të jepet, për të materializuar këtë projekt. Gjithsesi edhe sikur një pjesë e tyre të realizohen, është një arritje e madhe dhe pjesa tjetër, plotësohet me kohën.
Për ta bërë më të thjeshtë, për ata që mund t’i shpërfillin detajet që kam përfshirë, ju bëjë me dije, se çdo detaje ka vlerë. Për këtë, po ju sjellë një rast që ka ndodhur në Nju Jork, ku u hapë një muze, me mbetjet personale të atyre që humbën jetën, në rrëzimin e dy kullave binjake, nga goditjet që u bënë nga aktet terroriste. Në muze janë vendosur të gjitha gjetjet personale të viktimave, të plota apo të dëmtuara si: orat e dorës, telefona, kompiutera, tableta, çanta dore dhe shpine, prerëse thonjsh, stilolapsa, …etj. Ky muze, është shumë i vizituar nga vendas dhe të huaj, kundrejt një pagese për ta frekuentuar. Ndërsa për të vizituar Muzeun Historik të Memaliajt, duhet të jetë falas për pensionistët, fëmijët, ata me aftësi të kufizuar dhe për të tjerët, duhet të vendoset qoftë edhe një shumë simbolike, për të mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike dhe pagesën ditore të punonjësit, që do të kujdeset.
Padyshim që do ketë vizitorë, sidomos të huajt që janë shumë të interesuar. Vendasit, duhet të mësohen të paguajnë, pasi është një kontribut modest, i secilit prej nesh. Të gjithë do ta vizitojnë me pagesë, të paktën njëherë, pasi për të pirë kafen ditore, të gjithë kanë të holla!
Para se ta mbyllja këtë shkrim, dua të shtojë se, për çdo pavijon të montohet nga një televizorë, për ta bërë më të lehtë dhe të plotë, pasqyrimin me anë të një morie fotografish.
Tek faqja Memaliaj në Facebook, kam krijuar “Albumin Historik Memaliaj”, i cili është shumë i pasur me një larmi fotografish, që janë të ndara nëpër zëra, që tashmë luan edhe rolin e një muzeu virtual. Këto albume mund të shfrytëzohen, nga grupi i punës.
Për të realizuar këtë projekt, duhet të bëhet i njohur tek të gjithë bashkëqytetarët.
Gjetja e rrugëve të komunikimit me çdo memaliot që banon në të gjithë Bashkinë, është një tjetër strategji për të dhënë kontributin e tyre.
Jam i bindur se të gjithë do të tregohen të gatshëm, për të ndihmuar në realizimin e kësaj vepre.
Edmond Ismailati
Janar, 2024