Në seancën plenare të Parlamentit Evropian, u zhvilluan debate mbi progres raportet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Raportet e zgjerimit janë përgjigja e Parlamentit Evropian për raportet vjetore të Komisionit mbi vendet kandidate në procesin e pranimit në BE.
Përfaqësuesit e Komisionit dhe të Këshillit, së bashku me raportuesit e vendeve respektive shprehën angazhimin e tyre për aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Konsiderojmë që Shqipëria ka përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli në mars të vitit të kaluar për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare”, u shpreh Oliver Varhelyi, komisioner për Zgjerimin.
Ndërsa partitë e qendrës së majtë, të grupit të socialistëve progresivë dhe demokratëve në Parlamentin Evropian dhe të ‘Gjelbërit’ vlerësuan arritjet e të katërta vendeve për sa i përket sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit.
“Zgjerimi i BE-së është një nga themelet e një Evrope të qëndrueshme dhe të ndërlidhur. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës”, tha Tanja Fajon, Grupimi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE.
“Jam shumë i shqetësuar sepse BE po humbet Ballkanin Perëndimor, Këshilli ka vendosur hapjen e negociatave, por në kohën e krizës së COVID-it, vëmendjen tonë gjeopolitike e ka marrë Turqia, Rusia dhe bota arabe”, u shpreh Massimo Castaldo, anëtar i PE, grupimi ‘5 Yjeve’.
Ndërsa përfaqësuesit e grupimit të qendrës së djathtë, PPE, e cila ka dhe shumicën në parlament u shprehën për një shtyrje të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të paktën deri në organizimin e konferencës për të ardhmen e Evropës. Gjithashtu dhe grupimi konservator për Identitet dhe Demokraci, u shpreh kundër integrimit të këtyre vendeve.
Rezolutat e adaptuara në seancën plenare përfaqësojnë pozicionin zyrtar të Parlamentit Evropian në lidhje me marrëdhëniet e BE-së për këto vende.