Aktualitet Zjarri në magazinë, dyshohet se është zhdukur edhe një 17-vjeçar

Zjarri në magazinë, dyshohet se është zhdukur edhe një 17-vjeçar

Ndërkohë që po vijojnë kërkimet për gjetjen e 33-vjeçarit Arjan Sala, i cili mbeti i izoluar në katin e nëndheshëm të magazinës së një qendre tregtare, dyshohet se në të njëjtin ambient është zhdukur edhe një 17-vjeçar.

Klan News raporton se ka ardhur një denoncim nga i ati i 17-vjeçarit, i cili shprehet se rreth orës që ka ndodhur ngjarja në mbikalimin e Kamzës, pasditen e të mërkurës, ka humbur kontaktet me të birin.

Ai ka bërë me dije se djali i tij punonte me shkarkimin e kamionëve në këtë qendër tregtare.

Ndërkohë, ende nuk ka një konfirmim nga ana e autoriteteve për 17-vjeçarin, i cili ka humbur kontaktet me familjarët.

Nga ana tjetër, forcat zjarrfikëse po vijojnë kërkimet për Arjan Salën, i cili pasi shpëtoi 25 punonjës, mbeti i izoluar në magazinën që është vatra e zjarrit dhe riaktivizohet vazhdimisht për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme.

Edhe pas më shumë se 20 orëve, ende nuk janë gjetur gjurmë të 33-vjeçarit, familjarët e të cilit kanë kërkuar shtim të forcave zjarrfikëse dhe shembjen e një pjese të ndërtesës, për ta bërë më të lehtë ndërhyrjen.

Në momentin kur ka rënë zjarri, njëri nga punonjësit ka njoftuar shefin e sigurisë, 33-vjeçarin Arjan Sala, i cili ka shkuar drejt vatrës së zjarrit me një bombul fikëse, bashkë me kolegun e tij. Kolegu i tij është kthyer për të marrë një bombul tjetër, por Sala nuk është kthyer më.

Forcat zjarrfikëse po ndërhyjnë me aparatura të veçanta, duke u organizuar në grupe, por ende nuk ka gjurmë të 33-vjeçarit.

Nga ana tjetër familjarët kanë bërë apel për shtim të forcave zjarrfikëse, pasi sipas tyre nuk ka mjaftueshëm zjarrfikës dhe ka mungesë të mjeteve.

Ndërkohë, drejtori i forcave zjarrfikëse, Shkëlqim Goxhaj, është shprehur se ndërhyrja është bërë nga brenda objektit që në fillim, por izolimi i zjarrit është tepër i vështirë.

Ai ka theksuar se puna mund të vijojë me ditë, pasi raste të tilla ku digjen materiale plastike në një ambient të nëndheshëm janë me rrezik dhe ndërhyrja bëhet me aparatura të veçanta.

Magazina e qendrës tregtare u përfshi nga flakët pasditen e së mërkurës në zonën pranë mbikalimit të Kamzës, ku shefi i sigurisë, Arjana Sala, mbeti i bllokuar dhe humbi kontaktet me familjarët pasi shpëtoi 25 punonjës të tjerë.

Forcat zjarrfikëse janë ndihmuar edhe nga forcat e kërkimit të minierave dhe gjithashtu në zonën e qendrës tregtare ka mbërritur edhe një automjet ujëhedhës nga Kamza.

Një nga strategjitë që është përdorur për të reduktuar flakët dhe tymin ka qenë edhe hapja e pusetave, por situata dhe ndërhyrja mbetet e vështirë për të ndërhyrë pasi flakët vijojnë të jenë prezente.

Një pjesë e grupit hetimor dyshon për një shkëndijë elektrike. Ka pasur edhe ekspertë për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme.