Bota Divorci me BE-në, Britania futet në territor të panjohur

Divorci me BE-në, Britania futet në territor të panjohur

Ajo e mërkurës në mbrëmje ku u luajt shumë, e u pasua nga një dramë e paprecedentë që do të ketë pasoja edhe përtej Britanisë së Madhe.

Plani i kryeministres Theresa May për daljen nga Bashkimi Europian, i vetmi në tryezë, u hodh poshtë nga Parlamenti. Tani, May përballet me një mocion mosbesimi, apo me thirrjen për zgjedhje të reja.

Mocioni i mosbesimit iu mundëson deputetëve të votojnë nëse duan apo jo që qeveria të vijojë punën. Nëse shumica voton mocionin, atëherë fillon një numërim mbrapsht 14-ditor.

Nëse gjatë kësaj kohe, qeveria aktuale, apo çdo qeveri tjetër alternative nuk arrin të fitojë një votëbesim, atëherë thirren zgjedhjet e parakohshme.

Nëse qeveria i mbijeton mocionit të mosbesimit, atëherë ajo mund të kërkojë një votim tjetër të së njëjtës marrëveshje, apo një marrëveshjeje tjetër të ngjashme.

Qeveria mund të propozojë edhe negociimin e një marrëveshjeje të re të “Brexit”-it. Por, kjo do të thoshte një rinegociim të plotë, që do të kërkonte kohë dhe do të vononte “Brexit”-in. E për më tepër do të duhej të merrte aprovimin e BE-së.

Qeveria mund edhe të zgjedhë të mbajë një referendum të dytë, çfarë do të kërkonte po ashtu shtyrje afatesh. Sidoqoftë, para 29 marsit kur “Brexit” duhet të materializohet, një referendum është i vështirë të mbahet.

Një tjetër opsion për Mayn është ta çojë vendin në zgjedhje, në kërkim të një mandati të ri politik për marrëveshjen e saj. Edhe kjo do të kërkonte kohë.

Përballë një situate të tillë, është edhe vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, sipas së cilës do të ishte e ligjshme nëse Britania, në mënyrë të njëanshme do të revokonte nenin 50 dhe të anulonte “Brexit”-in, pa pasur nevojë për pajtimin e 27 vendeve të tjera të BE-së.

Por, me qeverinë britanike të angazhuar ndaj “Brexit”-it, më shumë gjasa kanë variantet e referendumit të dytë, apo ndryshimit të qeverisë, sesa kjo. Sido që të jetë, Britania e Madhe ka hyrë tashmë në një territor të panjohur, ndërkohë që ora e “Brexit”-it po afron.