Nuk kishte humbur kurrë një derbi, pavarësisht se në Xhenova kishte luajtur gjashtë të tillë. Ka gjithmonë një herë të parë dhe për Marco Giampaolon ishte të shtunën. Trajneri i Milanit analizoi sfidën e humbur ndaj Kontes, një tjetër specialist për ndeshjet ndërqytetëse, dhe pavarësisht rezultatit, mbetet optimist për të ardhmen e skuadrës së tij.
NDESHJA
“Rezultati kushtëzon gjykimin dhe të humbësh një derbi shkakton dhimbje. E nisëm me pak nivel, por më pas gjetëm rendin dhe bëmë mirë. Ekuilibri u prish nga ajo goditje dënimi dhe nuk më pëlqeu se si skuadra reagoi”.
DISNIVEL
“Qëndruam gjatë në ndeshje, duke plotësuar me vullnet hendekun e përvojës që na ndante nga kundërshtari. Të tilla sfida menaxhohen me organizim, por ky është një aspekt që asimilohet me punë dhe kohë. Duhet të mësojmë të reagojmë në mënyrë më të qartë”.
PAK GODITJE
“Në ndeshjet e para të sezonit po vuajmë disi në këtë këndvështrim. Ideale do të ishte që të rikuperojmë disi më lart topin për të qenë më pranë portave rivale. Nuk më pëlqen që të luajmë me një pykë, ndaj po këmbëngul për të pasur një sulmues dhe dy lojtarë që e mbështesin vazhdimisht”.
LEAO
“Leao më pëlqeu shumë dhe tregoi personalitet. Është një djalë që ka cilësitë e duhura, përveçse është shumë i shpejtë dhe i shkathët. Në një kundër një është i zoti, por duhet të mësojë që të qëndrojë më gjatë brenda ndeshjeve, sidomos në këto të nivelit të lartë”.
DREJTUESIT
“Nuk kam folur me asnjë nga drejtuesit e Milanit, edhe sepse nuk bisedojmë kurrë pas ndeshjeve. Sa më përket, mendoj se skuadra luajti më mirë se në ndeshjet e tjera që kemi luajtur. Të mos harrojmë se djemtë e mi janë nga 22 vjeç, ndërsa Interi ka më shumë 30-vjeçarë”.