Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha pas takimit me aleatët, ku u vendos pranimi i ftesës së OSBE për të marrë pjesë në tryezën për reformën zgjedhore, se prioriteti i opozitës është integrimi i vendit në Bashkimin Europian.
“Opozita është gjithmonë e gatshme për të hapur menjëherë dhe me urgjencë negociatat me BE sepse është e vetmja mënyrë për të pozicionuar Shqipërinë në krahun e duhur , në atë të cilën i takon për të qenë anëtare e BE”, u shpreh Kryemadhi.
Sipas saj, opozita po vazhdon punën për përgatitjen e paketës anti krizë. “Shumë shpejt edhe ju do njiheni me të”, tha kryetarja e LSI.
“Kriza nuk është vetëm Parlamenti. Kriza është ekonomia që kanë sot shqiptarët. Kriza është situata në të cilën gjenden sot shqiptarët. Ju e keni vënë re që para tre ditësh Shqipëria kaloi në një fatkeqësi natyrore që ishte tërmeti i famshëm. Mjafton që të bëni ju si gazetarë një kërkesë zyrtare Kryeministrit dhe Ministrisë së Financave, për të pasur dijeni sesa është fondi për emergjencat. Është zero para sepse paratë e emergjencave për shqiptarët kanë shkuar për lukset e ministrave të Ramës dhe të stafit të tij. Shkojmë të shohim përmbytjet, që shikojmë trumbetimin e rrugëve pafundësisht dhe reklama pafundësisht ndërkohë që shohim që rrugët nuk kanë kanalizime për tu zhbllokuar dhe për të pasur një qarkullim të lirshëm të qytetarëve. Pra ajo çka opozita do të propozojë është paketa anti-krizë jo për krizën politike të Edi Ramës dhe as për krizën e identitetit të Edi Ramës. Është paketa anti-krizë për t’u dhënë shqiptarëve më shumë mundësi, punë, siguri dhe garanci dhe juve për të qenë më të lirë në këtë situatë terrori dhe manipulimi mediatik të propagandës së Edi Ramës”, tha Kryemadhi.