Entela Resuli / DITA
Doktoreshë Adelona Salaj, ka përfunduar studimet e larta për mjekësi në universitetin “La Sapienza” të Romës. Ka kryer specializim në kirurgji të përgjithshme, gjithnjë në “La Sapienza”. Që në dy vitet e fundit të specializimit dhe më deri sot jeton dhe punon në Grosseto, Toskana.
Ka zgjedhur pikërisht këtë qytet pasi këtu që në fillim është zhvilluar kirurgjia robotike invazive.
Sot punon në repartin e kirurgjisë robotike onkologjike dhe të urgjencës duke qenë pikë referimi për gjithë qendrat robotike nëpër botë.
Reparti ku punon është pikë referimi jo vetëm për qendrën e Toskanës, por dhe për gjithë Italinë.
Doktoresha e cila ka lindur në Vlorë dhe ka jetuar aty deri në përfundim të shkollës së mesme, pak përpara se të bënim këtë bisedë është përzgjedhur, nga 7200 kërkesa, si një nga 300 mjekët që do të shkojnë të shërbejnë në vijën e parë me pacientët të cilët janë të prekur me CoVid-19 në një nga spitalet e Lombardisë.
Ajo është shumë e lumtur për këtë fakt dhe e konsideron si një nga shërbimet më të vyera që mund të bëj në jetë. “Ishte një kërkesë e imja që mezi po e prisja”- shprehet Salaj.
Sot në Dita, doktoreshë Adelona flet për situatën në Itali, rrezikun që na kërcënohet nga ky virus dhe pse është e rëndësishme që të qëndrojmë të izoluar.
-Doktoresha, si është gjendja në spitalin ku ju punoni dhe a keni kontakte të drejtpërdrejta me pacient të cilët janë infektuar nga CoVid-19?
Spitali ku unë punoj është inauguruar 1 vit më parë. Drejtoria shëndetësore e rajonit vendosi që kjo strukturë e re të bëhej qendër e të sëmurëve me CoVid-19 për të gjithë rajonin duke pasur në dispozicion 120 shtretër në Terapi Intensive.
Gjithë pjesa e aktivitetit jo urgjent është bllokuar, pjesa e të sëmurëve tumoral, ortopedik, gjinekologjik, urologjik… janë transferuar në një tjetër qendër për të mbajtur të izoluar qendrën CoVid-19. Ndërkohë gjithkush nga ne duhet të mendojë se jeta vazhdon, sëmundjet vazhdojnë dhe ne mjekët jemi gjithnjë të njëjtit. Unë vendosa që të punojë në qendrën CoVid-19. Bëj pjesë në ekipin kirurgjikal të gjithë pacientëve me CoVid-19 ose të dyshuar me këtë virus (pacienti që ka një situatë klinikë emergjente nuk ka kohë për të pritur tamponin ndaj duhet konsideruar gjithnjë i dyshuar CoVid-19 dhe duhet operuar me urgjencë). Situata nuk është aspak e thjesht, jo vetëm për sa i përket ritmeve të punës sepse për ne është normaliteti, por për kushteve në të cilat punojmë, për frikën që lexon nëpërmjet syve mbi maskën që ka në fytyrë kolegu përballë, apo sytë gjithë terror që pacienti ka ndërsa të shikon të futur në atë që unë e quajë “Uniforma e Vetëvrasjes”.
Dikush po mendon çfarë është Uniforma e vetëvrasje? Ok, me pak fjalë ka të bëjë me pajisje mbrojtjeje, duhet mësuar përmendësh radha me të cilën vishen mjetet mbrojtëse e mbi të gjitha se si duhen hequr. Çdo gabim apo mos vëmendje paguhen vërtet rëndë.
Gjendja ku jam unë është pak më e lehtë në krahasim me Lombardinë. Ka shumë të shtruar e mbi të gjitha shumë pacient në terapi intensive. Një pjesë e vendeve në terapi intensive vihet në shërbim të rajoneve të tjera për të mbuluar emergjencën e mungesës e respiratorëve të lirë.
Shumë shpejt do lëviz nga ky spital. Prej disa ditësh kisha bërë kërkesë për të qenë pjesëtare e task force, në mbrojtjen civile, ku viheshin në dispozicion 300 vende pune për zonat që janë në emergjencë, Lombardia. U bënë gjithsej 7200 kërkesa. Sot më morën në telefon dhe më dhanë lajmin e përzgjedhjes, kështu në datën 15 nisem nga Roma për nuk e di akoma ku, por do të jem në linjë të pare duke kuruar pacientët me CoVid-19.
-A është kaq dramatike sa e përcjellin mediat situatën në Itali?
Situata në Itali është vërtet dramatike. Nuk duhet harruar fakti që ky virus transmetohet me anët ajrore, pjesa veriore e Italisë Bergamo, Brescia, Cremona, Milano ka një dendësi të lartë të popullsisë dhe ky virus ka qenë i pranishëm kohë më parë se sa të shfaqej rasti numër 1.
Shumë dëshmi të mjekëve të familjes tregojnë që kishte raste të ngjashëm të sëmundjeve të mushkërive (polmoniti) që në ditët e fundit të muajit janar. Ky virus ka vërtet përqindje të ulët të të vdekurve, por ka një aftësi përhapjeje shumë të lartë. Pjesa më e madhe e pacienteve pozitiv janë moshat e mëdha dhe duke pasur Italia një vlerë të lartë të moshës mesatare të popullsisë kjo po sjell në numër të lartë vdekjesh.
-Shifrat tregojnë se numri i personave që humbin jetën nga ky virus është i lartë, si shpjegohet kjo?
Problemi kryesorë ishte dhe mbetet numri i tamponëve të kryera. Duke pasur pak tamponë në dispozicion, Italia vendosi të bënte tampon vetëm personave që paraqisnin simptoma. Duke mos bërë tamponë në masë popullsisë nuk mund të dihen asnjëherë vlerat reale (numri i të vdekurve është në raport me tamponët pozitive total pa marrë parasysh sa persona pozitive mund të jenë kudo dhe pse pa pasur asnjë simptome nuk kanë pasur mundësi të bëjnë testin.)
Ky virus ka aftësinë në 10 për qind të rasteve të jetë vërtet shumë agresiv. 10 për qind e të sëmurëve kanë nevojë për ventilatorë sepse mushkëritë e tyre nuk janë të mjaftueshme për të marrë oksigjenin që i duhet trupit. Nëse pacienti nuk intubohet dhe nuk lidhet me makinerinë e frymëmarrjes vdes brenda pak minutash nga arrestim i frymëmarrjes. Pacientët më delikat janë ata që kanë probleme kronike të zemrës apo të mushkërive.
Ky është një virus i ri dhe shumë pyetje që secili nga ne mund të bëjë janë pjesë e studimeve të përditshme që shkenca po bën.
-Deri para pak ditësh na kishin thënë se është grip i thjesht, të tjerë pastaj e paraqesin më agresiv, çfarë është në të vërtet?
Situata është vërtet emergjente. Tashmë jemi në fazë pandemie dhe jo me epidemie, është përfshirë e gjithë bota. Coronavirus është një virus që transmetohet me anët ajrore dhe kap mushkëritë. Shkakton atë që në fazat e para dikush e quajti grip por që grip nuk është. Është një virus që mund të ketë mënyra të ndryshme të shfaqjes se simptomave. Situata klinike mund të jenë nga pa simptoma, raste më pak simptoma si mund të jetë pak temperaturë dhe dhimbje fyti, raste me temperaturë të lartë dhe kollë deri në raste ku mund të shfaqen simptoma të mushkërisë si marrje frymë. Në rastet e rënda virusi është i aftë të krijojë një infeksion vërtet të rëndë të mushkërive duke prekë pjesën intersticiale të sajë dhe jo vetëm, është një polmonit që duron vërtet shumë dhe pacientët kanë nevojë të rrinë në terapia intensive edhe 25 ditë rresht.
Është i rrezikshëm sepse është vërtet shumë ngjitës. Ne sot për sot jemi pa armë, shkenca nuk ka mundësinë në pak kohë të krijojë terapinë apo vaksinën e duhur. E vetmja armë që kemi në dorë është të rrimë të izoluar që të mos i japim mundësinë virusit të gjejë njerëz për të infektuar.
-A ka të rinj që kanë humbur jetën në spitalin tuaj?
Rasti më i ri pozitiv është një djalë 29 vjeç. Fatmirësisht gjendja e tij klinike ishte e mirë dhe i sëmuri bëri izolim në shtëpinë e vet. Mosha e pacientëve që janë në terapi intensive është nga 42 vjeç deri në 78 vjeç. Pacienti më i ri i vdekur ishte 53 vjeç. Kjo është pjesa më e vështirë e punës sonë, kolegët e mijë anestezist duhet të marrin në telefon familjet e këtyre personave për t’u komunikuar vdekjen.
-Si paraqitet gjendja e të sëmurëve, a janë ata të frikësuar në momentin që futen për t’u kuruar, çfarë thonë dhe ndjejnë për faktin që nuk mund të kontaktojnë me të afërm?
Ka momente të ditës kur gjithçka na rrethon na duket një film, na duket një ëndërr dhe dikush nga ne akoma pret të zgjohet. Pjesa emocionale e të sëmurit është pesha më e rëndë e kësaj situate. Pacienti është vetëm. Nga momenti që tamponi del pozitiv ai person është tërësisht i izoluar nga kushdo që e rrethon. Drama psikologjike është një pjesë vërtet e rëndësishme edhe pse në këto kushte emergjence askush nuk po i kushton shumë vëmendje. Atë pjesë të dramës e jeton personeli shëndetësor që ka mundësi të hyje në kontakt me pacientin dhe që gjithmonë mundohet të mbajë shpresë dhe buzëqeshje në sytë e vetë, që është e vetmja pjesë e trupit që mund të shikohet poshtë Uniformes se Vetëvrasjes. Falë teknologjisë për kë ka mundësi arrijnë të mbajnë kontaktet me personat familjarë duke u parë me celularë, për ke nuk ka mundësi personeli bëhet urë e transmetimit të mesazheve ndërmjet familjareve dhe të sëmurit.
-Cila është situata më e vështirë dhe emocionale me të cilën je përballur?
Momenti më i vështirë ka qenë kur një paciente Covid Pozitiv paraqiti një peritonit difuz dhe duhet ta operonim urgjent sepse situata klinike ishte kritike. Fillova të vishja shtresat e Uniformës, çdo shtresë bëhej gjithnjë e më e bezdisur ( 2 maska, syzet dhe syzet mbrojtëse), ndjeja rripin e maskës që më shtypte veshin, ndjeja djersën që nga hunda dhe buza kullonte, syzet që me visheshin nga afshi i frymëmarrjes sime (edhe pse e rrezikshme duhet të mbaj hapur valvulet e syzeve që ajri të mund të dalë sepse është e vetmja mënyre për të operuar përndryshe nuk shikohet asgjë nga avulli i frymëmarrjes), ah po harroja që, pjesë e uniformës është jo vetëm 2 këmisha me të cilat jam mësuar, sepse i përdorë në përditshmërinë time në sallë operimi, por 3 palë dorashka që duhen vënë dhe hequr me një radhë shumë precize që të mos infektohesh. Me 3 palë dorashka dhe ndjeshmëria e dorës së kirurgut ndryshon, gjithçka bëhet akoma më e vështirë. Ka qenë një ndër momentet më të vështirë sepse pas 2 orësh që vazhdonim të operonim unë ndjeja flokët e mijë të lagur poshtë kapuçit mbrojtës që kisha në kokë dhe ndërkohë luftoja me frymëmarrjen time që të mos më vishej maska e të mund të shihja. Nga ai moment për mua ajo u quajt Uniforma e Vetëvrasjes!
-Ke hasur shqiptarë të prekur në spital?
Në spitalin ku jam unë ka pasur dy raste, burrë dhe grua, patën formën mesatare dhe pas disa ditë shtrimi në repart kaluan në izolim në shtëpinë e tyre.
-Ju vetë keni frikë, si arrini ta menaxhoni?
Unë nuk kam frikë nga koronavirusi, jam e sigurt që në momentin që infektohem mund ta kalojë vërtet shumë lehtë. Unë kam frikë për diçka akoma më të madhe. Unë kam frikë dhe ndaj përdor maskat dhe dorashkat mbrojtëse në çdo kohë tashmë u bënë dy muaj, sepse punojë me njerëz vërtet delikat. Unë punoj me njerëz që kanë sëmundje tumorale apo probleme shëndetësore që kanë një sistem imuniteti shumë të dobët dhe janë pre shumë e lehtë e këtij armiku të padukshëm.
Duhet treguar gjithnjë aftësia për të qenë vigjilent ndaj gjesteve që mund të jenë të pavullnetshëm si mund të jetë prekja e hundës apo rregullimi i syzeve, çdo veprim i gabuar i yni është një rrezik i përhershëm.
-Po situatën në Shqipëri e ndiqni, si ju duket?
Situatën në Shqipëri e ndjek me sa mundësi kam, por mbi të gjitha informohem me prindërit dhe familjarët e mi që jetojnë aty. Mendoj se situata nuk është aspak e thjesht, por njerëzit po kuptojnë rëndësinë dhe rrezikshmërinë e kësaj emergjence. Sensibilizimi i njerëzve për t’u izoluar është arma e vetme që kemi në dorë. Rastet janë të pakta, por shpresoj që të mbeten të tilla edhe pse të dhënat epidemiologjike të epidemive na thonë se mund të ketë rritje, ndaj duhen marrë dhe mbajtur masat e duhura të izolimit.
-Tre ditë më parë Shqipëria dërgoi 30 mjekë dhe infermierë në Itali për ndihmë, si u duk si gjest?
Mendoj se shteti shqiptar në këto momente ka të qartë rëndësinë e kësaj situate emergjente. Gjesti i dërgimit të 30 mjekëve shqiptarë në ndihmë të shtetit italian është një gjest i mrekullueshëm që duhet marrë si shembull nga kushdo, ne jemi shembull që dhe kur na mbetet një fetë bukë për të ngrënë e ndajmë me dikë që ka nevojë. Urojë punë të mbarë heronjve të porsa ardhur duke shpresuar që kjo eksperiencë mund të jetë e dobishme dhe për ata.