Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me një lajm të transmetuar në televizionin italian Rai 3, sipas të cilit kultivimi i kanabisit në Shqipëri është rritur në mënyrë të ndjeshme.
Policia shpreh indinjatën për lajmin e rremë të transmetuar nga Rai 3 dhe ia ka përcjellë shqetësimin partnerëve. Sipas drejtorisë së policisë, homologët përtej Adriatikut kanë konfirmuar se ky lajm nuk bazohet në informacion të verifikuar.
“Shprehim keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime për lajmin e rremë të transmetuar mbrëmë nga kanali prestigjioz RAI 3, ku dezinformimi mbi kultivimin e kanabisit në Shqipëri ishte skandaloz. Drejtori i Përgjithshëm e ka përcjellë menjëherë shqetësimin e krijuar nga ky lajm tek partneret italianë dhe ka kërkuar prej tyre saktësimin e këtij informacioni pa asnjë bazë, i cili ka krijuar terren për spekulime politike dhe mediatike edhe në Shqipëri. Partnerët italianë janë shprehur të habitur me lajmin në fjalë dhe kanë konfirmuar se ky lajm nuk bazohet në asnjë burim të drejtpërdrejtë informacioni të verifikuar”, shkruhet në deklaratën e Policisë.
Më tej Policia e Shtetit shkruan se mbetet në pritje të një përgënjeshtrimi zyrtar nga autoritetet italiane të këtij lajmi.