Shërbimi sekret serb ka shpërndarë një deklaratë zyrtare përmes së cilës hedh poshtë deklarimet keqdashëse siç i cilëson ato, se është duke planifikuar vrasjen e ish-raporterit të Këshillit të Europës, Dick Marty.
“Në këto kohë të vështira, deklarime të tilla shkaktojnë në mënyrë të padrejtë një dëm të pallogaritshëm mbi Serbinë dhe reputacionin e BIA-s (shërbimi) dhe anëtarëve të saj që janë profesionistë të dedikuar që e kryejnë detyrën e tyre vetëm në përputhje me ligjin. Pavarësisht të gjitha presioneve dhe përpjekjeve për ta destabilizuar, BIA do të vazhdojë të punojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë”, thuhet në deklaratë.
Çështja në fjalë lidhet me disa kërcënime ndaj Marty, i cili u ngarkua dikur me hetime për krimet e UÇK-së dhe sipas tij kërcënimet vijnë nga disa qarqe të shërbimeve sekrete serbe që duan ta inskenojnë vrasjen si vepër të shqiptarëve.
Dick Marty u ka thënë së fundi mediave zvicerane se “serbët donin ta vrisnin dhe do të fajësonin shqiptarët për këtë”.
“E habitshme që nuk erdhi nga ata që unë akuzova, por erdhi nga kundërshtarët e tyre”, tha Marty.
Thuhet se që nga dhjetori 2020, Dick Marty është vendosur nën mbrojtje të lartë policore nga Zvicra, pasi është kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve të inteligjencës serbe.