Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Rada Trajkoviq, vlerëson se me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është shtyrë edhe presioni mbi institucionet e Kosovës në lidhje me heqjen e taksës për produktet nga Serbia.
“Kjo është goditja e tij e fundit dhe më e fortë në refuzimin e heqjes së taksës dhe unë nuk shoh se kush mund të vendosë për pezullimin e saj në këtë kohë”, citohet të ketë thënë Trajkoviq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.
Madje, sipas saj, me dorëheqjen e Haradinajt mund të thuhet se nuk mund të ketë së shpejti edhe një progres serioz të dialogut.
“Meqenëse ky është një proces i cili zgjatë, veçanërisht ai për formimin e një qeverie, ka shumë të ngjarë që bisedime midis Beogradit dhe Prishtinës të mos ketë deri në fund të vitit kalendarik”, ka thënë Trajkoviq.
Ajo deklaroi se në këtë do të ndikojnë edhe zgjedhjet në Serbi të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Kështu që ekzistojnë të gjitha mundësitë që nuk do të ketë progres serioz në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm”, ka thënë ndër tjerash Trajkoviq.