Aktualitet Dosja “Plumbi i Artë”/ Gjykata cakton arrest në burg për avokatin Alban...

Dosja “Plumbi i Artë”/ Gjykata cakton arrest në burg për avokatin Alban Bengasi

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg ndaj avokatit Alban Bengasi.

Ky i fundit u arrestua dy ditë më parë pasi u kthye nga Dubai. Në gjykatë, avokati Bengasi kërkoi që të hetohej pa masë sigurie. Por, togat e zeza e refuzuan këtë kërkesë duke vendosur arrest në burg.

“Ju kanë futur në një rrugë pa krye, ju kanë orientuar gabim. Nuk kam lidhje me akuzat. Me bashkëshorten kam marrëdhënie normale pavarësisht se jemi divorcuar”, tha Alban Bengasi në seancë.

Emri i avokatit Alban Bengasi doli në dosjen “Plumbi i Artë” dhe dyshohet për për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Alban Bengasi është përmendur nga vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani, i cili është bashkëpunëtor i drejtësisë.

Në dëshmitë e dhëna para hetuesve disa muaj më parë, Nuredin Dumani deklaroi se Alban Bengasi kishte ofruar 120 mijë Euro për të vrarë gruan e tij. Por Dumani nuk e kishte pranuar, duke thënë se “nuk i pëlqente të rrihte gra”. Por me këtë çështje u mor Eljo Bitri dhe një person tjetër, sipas Nuredin Dumanit, të cilët pasi ndoqën ish-bashkëshorten e Alban Bengasit e dhunuan duke e goditur me grushte në fytyrë.

Dhunimin e ish-bashkëshortes së avokatit Alban Bengasi e ka trajtuar edhe emisioni Stop në Tv Klan më 3 Nëntor 2020, e cila rrëfeu dhunën e ushtruar ndaj saj dhe akuzoi direkt ish-bashkëshortin avokat, i cili nuk e lejonte që të takonte as fëmijët.