Opinione Drafti i PS-së dhe hileja me koalicionet

Drafti i PS-së dhe hileja me koalicionet

Nga Leonard Karaj

Sipas Ajshtajnit, kulmi i marrëzisë është atëherë, kur njerëzit për veprime të njëjta presin rezultate të ndryshme. Në këtë pikë është sot klasa jonë politike dhe shoqëria shqiptare. Edhe pse për vite me radhë, të majtë dhe të djathtë në qeveri kanë bërë dy hapa para dhe tre prapa, duke shpalosur të njëjtin vokacion dhe qasje degjeneruese, përsëri qytetari (kupto votuesi) pretendon dhe shpreson të shohë një rezultat tjetër. Nihilizëm tipik, i denjë për vende dhe popuj që qeverisen prej kohësh nga autokratë të tipit Erdogan apo Putin. Por, nuk jemi shumë larg tyre. Shqipëria e “Rilindjes” është pak të thuash sot se qeveriset nga një klasë autokratësh, të cilët edhe kur për një moment nën presionin e ndërkombëtarëve bëjnë sikur dakordësohen për të “dhënë” demokraci, pishmanosen ende pa zbardhur dita.

Po, pasi Rama, me “rilindasit” e tij këmbëngul se nuk ka prekur për asnjë rast marrëveshjen e 5 qershorit, por fakt është se jo vetëm që e ka grisur në themel atë çka firmosi dora e Damianit, por më shumë akoma po përgatit dhunshëm “makinerinë” për marrjen me pahir (nëse nevojitet), mandatin e tretë.

Së pari, nga një premtim për lista të hapura, Rama gënjeu për të të disatën herë jo vetëm gjatë kësaj periudhe (dhe e çuditshme sesi shqiptarët vijojnë ende ti besojnë), duke i mbyllur sërish listat. Në parlament sipas draftit të paraqitur nga PS-ja, shkojnë vetëm ata që “bekon” kryetari. Idiotizma të tipit nëse do të jesh deputet shko dhe merr më shumë vota nga ai që dua unë të kem në kuvend, jo vetëm që nuk është aspak demokratike, pasi është një garë totalisht e njëanshme brenda një partie politike, por edhe e pamoralshme. Listat ose hapen totalisht ose qëndrojnë sikundër ishin, të mbyllura.

Së dyti, ndryshimi esencial dhe hileja e Ramës qëndron në pikën 19 dhe 36 të marrëveshjes së dakordësuar, ku tashmë është fshirë konteksti real i koalicioneve parazgjedhore, pikë kjo mjaft e debatueshme, e konsideruar nga PD-LSI dhe aleatët e vet si vija e kuqe. Teorikisht, koalicionet qëndrojnë aty, por faktikisht janë ashtu sikundër i dëshiron Rama. Që të kuptojnë të gjithë hilenë: PS-ja vërtet thekson se nuk ka hequr termin “koalicion”, por fakt i pakontestueshëm, i pakundërshtueshëm është se, nëse drafti i PS-së kalon në parlament kështu sikundër është propozuar, atëherë PD, LSI dhe aleatët kanë ose mundësinë që të garojnë secili më vehte ose të dalin me një listë të përbashkët me 140 emra kandidatësh për deputet.

E para ka shumë gjasa që të ndodhë, pasi ka thuajse zero shanse që Basha, Kryemadhi, por edhe Agron Duka të ulen për të lëshuar pushtet opozitar në tavolinë, akoma pa ardhur në pushtet. Dhe kjo gjë i intereson dukshëm Ramës. Kjo është e vetmja teori matematikore që i jep mundësi kryeministrit që të ketë shansin e një mandati të tretë. Dhe në mos marrtë dot 71 deputetë sikundër pretendohet (në fakt Rama ka kërkuar sërish 74 mandate), do të mjaftonte që të ishte forcë e parë, për të pasur mundësinë e artë për të bërë allishverishe paszgjedhore për krijimin e qeverisë. Dhe, në të tilla kushte, kur kujton amoralitetin e vulosur të politikës shqiptare gjatë këtyre tri dekadave, askush nuk e vë dorën në zjarr dhe të betohet se LSI-ja e Kryemadhit nuk do të “riputhet” me “rilindasit”. Po ashtu, edhe PAA-ja e Agron Dukës apo PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, do ti mbajë anën sërish Bashës dhe me një idealizëm, jo shumë tipik për politikën shqiptare, nuk do të pranojnë të bëjnë qeveri me Ramën. Kjo është ajo çka po kurdis kryeministri, gjë të cilën deri tani e ka “qepur” sipas gjatësisë së tij.

Dhe për t’iu rikthyer një shkrimi të tre muajve, Ramës nuk i interesojnë listat, të hapura apo të mbyllura, pasi ato sërish do jenë sikundër do të vendosë ai. E vetmja gjë që ka rëndësi për të, është heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe më gjasë edhe kjo histori do të vuloset së shpejti në parlament.