Tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e sotme në Fier si pasojë e një përplasje me armë të ndodhur mes disa personave.
Mësohet se sherri mes dy grupeve ka nisur në fshatin Levan, dhe më pas personat e përfshirë janë përplasur në afërsi të Urgjencës së Fierit me sende të forta. Këta persona pas sherrit në Levan, janë përplasur sërish në Fier ku fillimisht kanë qëlluar njëri tjetrin me sende të forta e më pas kanë nxjerr armët e zjarrit.
Drejtori i Policisë së Fierit ka thënë pak më parë se personi që është futur brenda në spital me armë, ia ka marrë atë një polici të patrullës dhe më pas ka tentuar të vrasë personat me të cilët ishte zënë në Levan. Drejtori Andon Marko ka thënë se deri tani janë arrestuar dy persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, ndërsa në pikat dalëse të qytetit të Fierit janë ngritur kontrolle për kapjen e perosnve të tjerë të përfshirë. Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë e cila ka tronditur Fierin nuk dihen ende.
Deri tani në Spital janë duke marrë ndihmë 3 persona, dy prej tyre të rrahur me sende të forta dhe i treti i qëlluar me armë zjarri. Sipas drejtoreshës së Spitalit të tre personat janë jashtë rrezikut për jetën dhe stafi është i gjithi në gatishmëri.
Sherri dhe të shtënat e armëve kanë ngjallur panik te të sëmurët e tjerë, ndërsa aty kanë mbërritur familjarë të të plagosurve dhe qytetarët të Fierit.
Hyrja e spitalit dhe ambientet e brendshme të tij janë blinduar nga FNSH dhe Forcat Speciale.