Prokurori Arben Kraja u zgjodh sot drejtuesi i SPAK, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Ai është më i vjetri në moshë nga të gjithë anëtarët e tjerë të SPAK dhe me eksperiencë më të madhe se kolegët e tjerë.
Por cilat kanë qenë detyrat e rëndësishme që ka mbajtur dhe dosjet që ka hetuar ky prokuror?
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Artan Hoxha tregoi se Arben Kraja ka qenë drejtor i Njësisë Antikorrupsion gjatë qeverisjes së Kryeministrit Ilir Meta në periudhën 2001-2002.
Kraja është edhe prokurori që ka hetuar dosjen e rrugës “Durrës-Kukës” ku ka qenë i pandehur Lulzim Basha.
“Është më i vjetri në moshë dhe ka më eksperiencë nga këta. Kur ka nisur punën në ‘87 ka mbaruar Fakultetin Ekonnomik, e ka të dytë Juridikun. Ajo që kam parë tek Kraja, ka një veçanti, ka një pikë kontakti me këto që i quajmë ‘peshqit e mëdhenj’. Në vitin 2001-2002 ka qenë drejtori i Njësisë Antikorrupsion të Kryeministrit Ilir Meta. Më mbrapa e kemi tek çështja ‘Durrës-Kukës’. Vazhdimisht ka hetuar krimin ekonomik, ky është marrë kryesisht me atë sektor. Mes të gjithëve, ai më duket më elokuenti sepse ka qenë në detyra të tilla. Produkti i gjithë çështjeve që shikon sot, ne nuk kemi zyrtarë të dënuar”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.