Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela do të përballet sot në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Procesi i vetingut për Prelën është kryer nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.
Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002.
Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Skeda grafike paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Donika Prela nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Donika Prela nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003; kohë që përkon me deklarimin e saj të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.
Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj kap vlerën e 11.1 milionë lekëve.