Pak muaj na ndajnë nga fillimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2017 dhe Ministria e Arsimit po ju jep një mundësi të dytë nxënësve që nuk janë paraqitur në provimet e vitit të shkuar.
Është publikuar në “Fletoren Zyrtare” udhëzimi i MAS për realizimin e provimeve të Maturës Shtetërore për sesionin e dytë.
Ky avantazh iu jepet të gjithë maturantëve që kanë rezultuar mbetës ose nuk i kanë zhvilluar provimet e Maturës mjafton që të jenë në koherencë me Ministrinë e Arsimit dhe të ndjekin udhëzimet.
MAS ka specifikuar datat dhe kohëzgjatjen e lëndëve bazë e atyre me zgjedhje, si dhe numrin e pyetjeve të secilit provim.
Në provimet e Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, do të marrin pjesë:
- a) Maturantët/kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime të Maturës Shtetërore 2017, sesioni i parë.
- b) Maturantët që rezultuan mbetës në një ose dy lëndë në vitin shkollor 2016–2017 dhe i shlyejnë provimet shkollore brenda datës 22 gusht 2017.
- c) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017, por që nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore.
- d) Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njësuar dokumentet shkollore nga MAS-i.
Drejtori i shkollës të dërgojë zyrtarisht në DAR/ZA listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, në datën 23 gusht 2017. Drejtori i DAR/ZA-së ta dërgojë këtë listë në AKP në datën 24 gusht 2017.
“Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, të jenë:
- a) Gjuhë shqipe dhe letërsi (D1): 26 gusht 2017;
- b) Matematikë (D2): 29 gusht 2017;
- c) Gjuhë e huaj (D3): 1 shtator 2017;
- d) Provime me zgjedhje (Z1/Z2): 6 shtator 2017.
Provimet e Maturës Shtetërore 2017, sesioni i dytë, të fillojnë në orën 10:00.
- a) Provimet e lëndëve me detyrim të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
- b) Provimet e lëndëve me zgjedhje të zgjasin 3 orë. 3.
Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 13 pikë, ndërsa 12 pyetje do të jenë me zgjidhje dhe të vlerësohen me 37 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 10 pikë, ndërsa 10 pyetje do të jenë me zgjidhje dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Maturantët që kanë vetëm një provim me zgjedhje, do të hyjnë në provim në orën 11:00 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13:00”, thuhet në udhëzim.