Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit ka gjobitur me 100 mijë Lekë të vjetra 719 këmbësorë të cilët kishin dalë pa ndonjë arsye të veçantë apo emergjencë.
Këta qytetarë janë evidentuar nga dronët e policët, përdorimi i të cilëve nisi një ditë më parë.
Po kështu, në Lushnjë është ndëshkuar me gjobë 7 milionë Lekë të vjetra shtetasi A. M., i cili ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet Doganës së Kakavijës më 1 Prill 2020 dhe duhet të ishte vetëkarantinuar, por është konstatuar jashtë ambienteve të banesës.
Në Tiranë është arrestuar për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë shtetasi R. K., banues në Tiranë, të cilit iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis. Po në Tiranë është proceduar shtetasi K. L., banues në Tiranë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për verifikim.
Në Korçë janë proceduar penalisht shtetasit A. H. dhe A. H., banues në Korçë, pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me gjobë 200 mijë Lekë të vjetra dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 9 persona pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 33 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilëve u është hequr patenta dhe u është bllokuar mjeti.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi A. A., pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.84 mg/l. Në Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Ç., pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.78 mg/l. Në Berat është proceduar penalisht shtetasi P. L., pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 19 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është vendosur gjobë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.