Bota Kina miraton provat klinike për dy vaksina kundër Covid-19

Kina miraton provat klinike për dy vaksina kundër Covid-19

Kina ka aprovuar testet e dy vaksinave tek njerëzit në përpjekje për të luftuar virusin Covid-19, i cili ka vrarë deri tani mbi 100 mijë persona në të gjithë botën.

Vaksinat janë duke u zhvilluar nga Sinovac Biotech me qendër në Pekin dhe nga instituti Vuhan i Produkteve Biologjike, një bashkëpunëtor i Grupit Kombëtar Farmaceutik në pronësi të shtetit kinez.

Në muajin mars, Kina dha dritën jeshile për një tjetër provë klinike për krijimin e një vaksine që po zhvillohej nga Akademia e Shkencave Mjekësore Ushtarake, mbështetur nga ushtria dhe firma bioteknike CanSino Bio, menjëherë pasi zhvilluesi i barnave “Moderna” tha se kishte filluar testimet klinike për vaksinën e tyre në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit në SHBA.

Vaksina e nevojshme për të ndaluar përhapjen e virusit

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se vetëm një vaksinë efektive kundër koronavisurit, mund ta ndërpresë plotësisht përhapjen e sëmundjes në gjithë botën.

Shumica e ekspertëve thonë se një vaksinë, që u jep njerëzve imunitetin ndaj koronavirusit, nuk do të zhvillohet dhe prodhohet në masë për të paktën një vit.

Shefi i OKB-së, tha se “lidhjet globale”, nënkuptojnë se rreziku i ringjalljes së virusit do të mbetet prezent.

“Në fund të fundit, zhvillimi dhe shpërndarja e një vaksine të sigurt dhe efektive do të jetë e nevojshme për të ndërprerë plotësisht transmetimin”, tha ai.

Në konferencën për media, Ghebreyesus sërish iu bëri thirrje vendeve të mos nguten me heqjen e kufizimeve të distancës fizike, derisa të vendosen masat e duhura të shëndetit publik.