Manchester United-Milan është finalja e parakohshme në Europa League. Goglat vendosën dy emrat e mëdhenj të futbollit botëror mes tyre në raundin e 1/8-ve. Dy “Djajtë” rikthehen të përballen mes tyre pas plot 11 viteve. Ishte 10 marsi i vitit 2010 dhe United fitonte 4-0 në “Old Trafford”.
10 herë janë ndeshur mes tyre këto dy skuadra, me pesë fitore për anglezët dhe po kaq për kuqezinjtë italianë. Milani ka shënuar 16 gola, tre më shumë se ekipi kundërshtar. Trajneri i Milanit, Stefano Pioli komentoi shkurt shortin për DAZN, duke mos kursyer elozhet për ekipin e Solskjaer.
“Për ne do të jetë një ndeshje stimuluese dhe motivuese. Do të përballemi me favoritët e mëdhenj të Europa League. Një kundërshtar dhe një stadium që na sjell në mendje momente të lavdishme të historisë së Milanit“, deklaron Pioli.
Por përpara garës në Old Trafford, Milan do të luajë kundër Romë, Udinezes dhe Veronës. Pra, ka ende kohë që Milan të mos shkojë Manchester me veshjen jokomode të viktimës.