Shëndet Duhani dhe alkooli? Më shumë është ushqimi që po na vret çdo...

Duhani dhe alkooli? Më shumë është ushqimi që po na vret çdo ditë

E keni menduar ndonjëherë se cili është përgjegjës për numrin e madh të vdekjeve në mbarë botën se çdo gjë tjetër?
Nuk është as konsumimi i duhanit, as presioni i lartë i gjakut, por ushqimi që konsumojmë.
“Në shumë vende dieta e varfër, po shkakton më shumë vdekje sesa pirja e duhanit dhe presioni i lartë i gjakut,” tha Ashkan Afshin, një profesor në Institutin për Matje dhe Vlerësim të Shëndetit në universitetin e Uashingtonit.

Studimi 27 vjeçar në të gjithë botën, u botua në revistën Lancer dhe flet për mungesën e ushqimeve të shëndetshme në dietat tona, duke përfshirë edhe sasitë e larta të kripës.
Një në pesë vdekje në nivel global, ndodhin për shkak të nivelit të lartë të kripës, mungesës së bishtajoreve dhe frutave. Sipas studimit rezultoi se njerëzit janë të prirur të konsumojnë vetëm ushqime me yndyre, nivel të lartë sheqeri dhe mish të kuq të përpunuar.
“Hapësira e madhe ku u krye studimi, do të thotë se këto gjetje janë të rëndësishme për të gjithë,” tha Andrew Reynolds, një student në universitetin e Otagos në Zelandën e re, i cili nuk ishte i përfshirë në grupin e hulumtuesve.

Në studimin e financuar nga Fondacioni Bill & Melinda Gates, ekspertët kanë renditur faktorët kryesorë në dietat ushqimore të cilët shkaktojnë vdekjen e njerëzve. Këto gjetje janë pjesë e raporteve vjetore që kryhen për të kuptuar shkakun e shumë sëmundjeve në mbarë botën, të përgatitur nga një grup studiuesish që kërkojnë të dhëna për vdekjen e parakohshme dhe paaftësinë fizike, nga më shumë se 350 sëmundje në 195 shtete.
Në janar të këtij viti, grupi i ekspertëve lançoi një plan ushqimor që përfshinte ushqime të shëndetshme, që reduktonte në mënyrë kategorike mishin e kuq dhe konsumimin e sheqerit, më paramendimin se do të parandalonin 11.6 milionë vdekje të parakohshme.
“Ky është një kërkim i mirë. Studime të ndryshme publikohen çdo vit mbi mënyrën se si hamë, por sasia e të dhënave që merren parasysh dhe përfaqësimi global e bëjnë këtë studim më të vlefshëm” tha Reynolds.
Problemet që kanë ardhur nga dieta ushqimore, kanë shkaktuar një sërë sëmundjesh. Sëmundjet kardiovaskulare (10 milionë njerëz të vdekur në vit), kanceri (913.000 të vdekur), diabeti i tipit 2 (339.000 të vdekur).
Uzbekistani kishte numrin më të madh të vdekjeve të lidhura me dietën ushqimore, pasuar nga Afganistani, Ishujt Marshall, Papua New Guinea dhe Vanuatu. Izraeli kishte numrin më të ulët, pasuar nga Franca, Spanja, Japonia dhe Andorra. Gjithashtu, edhe Europa Juglindore kishte një nivel të lartë të vdekjeve të lidhura me dietën ushqimore
Ndërsa Britania e Madhe u rendit në vendin e 23, duke u pasuar me Irlandën (24) dhe Suedinë (25). Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 43-të, pas Ruandës dhe Nigerisë (41 dhe 42). India renditet e 118-ta , ndërsa Kina renditet e 140-ta.

Për Shtetet e Bashkuara, India, Brazilin, Pakistanin, Nigerinë, Rusinë, Egjiptin, Gjermaninë, Iranin dhe Turqinë, mungesa e bishtajoreve në dietën e tyre ishte një ndër faktorët. Kjo nuk do të thotë se njerëzit në këto vende nuk konsumonin bishtajore, por i hanin të përpunuara me pak vlera ushqyese.

Sfidat e rajoneve
Faktori më i madh i rrezikshmërisë së vdekjes për Kinën, Japoninë, Indonezinë dhe Tajlandën ishte sasia e lartë e kripës në dietë. Sipas Afshin kjo ndodh për shkak të konsumimit të orizit shumë të kripur dhe salcave që përdoren për të ngrënë ushqime tradicionale aziatike.
Por a do të thotë kjo se kultura ushqimore do të vazhdojë të rrezikojë jetën e njerëzve?
Sipas Corina Hawkes e cila drejton qendrën për politikat ushqimore në universitetin e Londrës, ky nuk është një proces i pandryshueshëm.
“Kushdo që studion historinë e ushqimit, do t’ju tregojë edhe kulturën e një vendi. Ndoshta me kalimin e kohës ata, do të ndryshojnë mënyrën se si ushqehen, por kjo gjë do të sjellë edhe ndryshimin e kulturës së tyre,” shtoi ajo.
Në Meksikë, mungesa e arrave dhe e frutave të tjera të thata, mungesa e perimeve dhe drithërave ishte një ndër faktorët kryesor që mund të shkaktonte vdekjen. Ndër të tjera në studim thuhet se pijet me sheqer janë tepër të preferuara në këtë vend.
“Kjo nuk është për shkak të një preference që vjen si pasojë e trashëgimisë, por mungesa e madhe që ky vend ka për ujë të pastër. Në nuk kemi ujë të pastër për të pirë dhe njerëzit duhet ta blenë atë, por kur bëhet fjalë për blerje ata gjithmonë do të zgjedhin një pijë të quajtur “soda” e cila është më pak e kushtueshme,” shprehet bashkë autori i studimit Christian Razo.

Reagime
Përveç studiuesve edhe politikëbërsit reaguan për këtë studim, duke bërë thirrje se duhet të merren masa për kontrollin e cilësisë së ushqimit.
“Dieta jo e shëndetshme është faktori kryesor për sëmundjet dhe vdekjet e parakohshme kudo në botë. Rëndësia relative e këtij faktori është rritur dhe kërkon vëmendje urgjente”, tha Francesco Branca, drejtor i Departamentit të Ushqimit për Shëndetin dhe Zhvillimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
“Publiku duhet të jetë i vetëdijshëm për lidhjet mes ushqimit dhe shëndetit duke kërkuar veprim publik për të përmirësuar aksesin dhe disponueshmërinë e ushqimeve”shtoi Branca.
Duke marrë parasysh nevojën për veprim urgjent, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka hartuar një plan për vitet e ardhshme të quajtur “Veprimtaria e të Ushqyerit” dhe kërkon angazhim nga të gjitha qeveritë në botë.
Sipas ekspertëve, realizimi i planit kërkon një koordinim midis politikbërësve publikë, kultivuesve të ushqimit, marketuesëve dhe shpërndarësve./CNN/