Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim dypalësh me Kancelaren e Republikës Federale te Gjermanisë Angela Merkel.
Në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjithashtu Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet në fund të muajit maj.
Kryeministri Rama e falenderoi Kancelaren Merkel për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për rajonin dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua sot edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoaran Zaev. Edhe pse perspektiva evropiane konsiderohet si motori kryesor i gatishmërisë së këtyre vendeve për kompromis dhe reforma, zgjerimi i BE-së nuk është temë bisede në Berlin.
Qarqet diplomatike nga Berlini rikonfirmojnë për DW se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit.
Merkel megjithatë nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Bundestagut. Siç mësoi DW nga qarqet politike pranë CDU-së, afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU i thanë DW-së vendimi i tyre do të shtyhet në shtator.