Opozita ka njoftuar protestë masive më 16 Mars ku ka paralajmëruar rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe nisjen e procesit për zgjedhje të reja. Dy ditë para tubimit, në hyrjen e Kryeministrisë është përforcuar siguria. Është rivendosur skela që shërbeu më 16 shkurt për të penguar protestuesit e opozitës, të cilët tentuan të hyjnë brenda godinës së qeverisë.
Përveç përforcimit të skelës, Policia dhe Garda kanë vendosur dhe kangjella të tjera për të siguruar perimetrin rrethues të godinës qeveritare. Policia e Shtetit ka instaluar dhe 4 kamera të tjera sigurie me pamje 360 gradë, të cilat do të mundësojnë filmimin e aktivitetit të protestuesve. Përforcimi i skelës pranë hyrjes së Kryeministrisë ka nisur që prej mëngjesit, ndërsa ndryshe nga protestat e tjera është zgjeruar edhe perimetri rrethues me kangjella.
Përveç këtyre masave, Policia e Shtetit ka instaluar dhe 4 kamera sigurie para godinës së Kryeministrisë, të cilat do të shërbejnë për identifikuar protestuesit me anë të zmadhimit. Kamerat rrotulluese që filmojnë 360 gradë, janë vendosur në katër kënde të ndryshme, dy nga krahu i Kryeministrisë dhe dy nga krahu i Kryesisë së Kuvendit.
Përcaktimi i pikave të vëzhgimit është bërë për të mundësuar një pamje sa më të gjerë të mbulimit të protestës, dhe në raste të përdorimit të dhunës, regjistrimet do të shërbejnë si prova filmike. Policia e Shtetit edhe më herët ka kryer investime në instalimin e kamerave para Parlamentit, në prag të protestës së 5 marsit, pamjet e të cilave gjykata nuk i quajti të mjaftueshme për të mbajtur në qeli 8 qytetarët e ndaluar atë ditë pas tubimit të opozitës.
Protesta e opozitës është paralajmëruar të shtunën në orën 11:00, ndërsa në tubimet e mëparshme të mbajtura në Tiranë, Policia ka angazhuar nga 1 mijë deri në 1500 efektiva për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.