Bota Dy ekipe zvicerane parashikojnë fitoren e Trump. Parashikuan saktë edhe më 2016-ën

Dy ekipe zvicerane parashikojnë fitoren e Trump. Parashikuan saktë edhe më 2016-ën

Dy ekipe kërkuesish në Zvicër deklarojnë se sipas modeleve të të dhënave që ata përdorin, Donald Trump do të fitojë zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA. Ekipet në fjalë parashikuan përkundër shumë të tjerëve fitoren e Trump edhe në vitin 2016, ndërkohë që aktualisht sondazhet favorizojnë rivalin e Trump, Joe Biden.

Modeli i njërit prej ekipeve përdori internetin dhe mediat sociale për të matur interesin mbi kandidatët. Ekipi tjetër shfrytëzoi një sistem aktual parashikimi që bazohet mbi të dhënat ekonomike dhe në vlerësimin e karizmës së kandidatëve. Të dyja grupet e drejtuara nga John Antonakis i universitetit të Lozanës dhe Philippe Jacquart në shkollën e biznesit Emlyon në Francë thonë se sondazhet vuajnë nga disa probleme në krijimin e një panorama të qartë elektorale. Problemet me sondazhet nuk lidhen me përpunimin e të dhënave, por me besueshmërinë e tyre, pasi vjelja e tyre shpesh nuk korrespondon me votën e njerëzve.

Në dallim nga kjo mënyrë tradicionale, metoda e re të themi, bazohet mbi një aplikacion që hulumton atë që përdoruesit bëjnë në internet. Janë shfrytëzuar të dhënat e 247 milionë përdoruesve aktivë në SHBA, 367 kanale ku përfshihen motorrë kërkimi, media sociale dhe faqe eCommerce në SHBA si dhe 14 103 kanale jashtë vendit. Ekipet gjurmuan dhe shqyrtuan 2 500 çështje që mund të interesojnë njerëzit duke nisur që nga kontrolli i armëve, Black Lives Matter, Gjykata e Lartë dhe koronavirusi.

“Duket sikur ne po jetojmë në një ekonomi vëmendjeje. Nëse ke vëmendje dhe merr feedback aktiv të përdoruesve, me gjasë do të jesh më i pranishëm në mendjet e votuesve. Kur ke bashkësi të mëdha, të mëdha të dhënash siç kemi ne, nga të gjitha burimet e rëndësishme, atëherë mund të identifikosh prirjet dhe kjo e bën më të lehtë parashikimin”, shprehet eksperti i masmediave Christoph Glauser.

Nga kërkimi i bazuar mbi këtë qasje rezultoi se Trump qëndronte në krye të volumit të kërkimit në internet me 70 milionë kërkime në muaj dhe arriti në 100 milionë pas tuitit të tij se kishte rezultuar pozitiv me CoVid-19. Biden arriti në 26 milionë në shtator dhe ai e ka rritur atë por jo aq sa të çojë në parashikimin e një fitoreje. Loja për Biden është e humbur edhe në një rrjet social me ndikim si Tuitter: Turmp poston 43 postime në ditë, Biden vetëm 11. Trump ka 86 milionë ndjekës, Biden 11 milionë.

“Kur Donald Trump poston një status në tuiter ai është qartazi më vizibël. Ky është burimi i dytë krahas internetit që specifikon se po, e sheh më shpesh një argument në favor të Donald Trump në rrjetin social… A do të korrespondojë kjo me votuesit? Është një çështje e hapur”, shprehet një nga kërkuesit.

Karizma është një tjetër kriter që vjen në vështrim kur ka një garë. Antonakis ka shfrytëzuar përvojën e krijuar në Yale kur ra në konakt me një model parashikimi të zhvilluar nga ekonomisti, Ray Fair. Sipas këtij modeli presidentët në detyrë kanë avantazh dhe se votuesit do të lodhen me një parti politike pas dy mandate në zyrë.

“Ky model injoron dallimet mes dy kandidatëve. Ai presupozon se të dyja palët kanë vënë në garë personin më kompetent”, thotë Antonakis.

Ai refuzoi të pranonte se zgjedhësit do të ndikohen nga pamja e një njeriu, ndaj zhvilloi atë që e quan: karizmometri.

Me këtë metodë u parashikuan në mënyrë korrekte 20 nga 24 zgjedhje. Sipas Antonakis e vetmja gjë që do të afektonte parashikimin e tij është publikimi i të dhënave shumë të këqija ekonomike para zgjedhjeve. Një mënyrë për të vlerësuar karizmën është edhe interpretimi kompjuterik i fjalimit. P.sh fjalimi i Linkolnit në Gettysburg në vitin 1863 mori nga programi vlerësim 80% se kemi të bëjmë me një person karizmatik. Në këtë mënyrë Trump merr 55.6%, kurse Biden 52%.

Metoda duket se jep një pikturë të dinamikës në internet, duke vënë bast se interaktiviteti me Trump apo me ato që ai thotë priret të gjenerojnë mbështetje më shumë sesa ndaj Biden që nuk përthith po kaq vëmendje.