Gazetari Neritan Sejamin tha për gazetare Ilva Tare në Euronews Albania se pas vendimit të sotëm të SHBA-ve për të shpallur “non grata” ish-kryeministri Sali Berisha fshihen dy qëllime kryesore.
E para sipas tij ka të bëjë me mesazhin e qartë drejtuar opozitës se duhet të heqë dorë nga të gjitha qëllimet që kishte deri tani lidhur me mosnjohjen e zgjedhjeve dhe dyta lidhet me inkurajimin e drejtësisë së re në Shqipëri që t’i kthejë sytë tek goditja e politikanëve të mëdhenj të lidhur me korrupsionin.
“Opozita duhet të kthehet në institucione, dhe amerikanët në këtë pikë janë të prerë, SHBA e ka thënë me kohë që humbësi duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Për një arsye është perceptuar se Berisha është kundër kësaj fryme dhe disa nga publikimet e tij në rrjetet sociale kanë qenë të ashpra.
Jam i bindur që kjo është bërë për 2 arsye, që opozita të pranojë zgjedhjet, të heqë dorë nga ato që po bën dhe të hyjë në parlament dhe e dyta për t’i dhënë kurajë drejtësisë, ku deri dje thuhej se nuk ka asnjë person të fuqishëm që shkon para drejtësisë. E shikoj një kthim të vëmendjes së drejtësisë tek politikanët e rëndësishëm”, u shpreh gazetari.