Studime të shumta shkencore tregojnë se konsumimi me karar i kafesë sjell përfitime, si për zemrën, trurin, arteriet, edhe për jetëgjatësinë.
E gjatë apo e shkurtër, kafeja është e mirë për shëndetin! Dy studime, një europian dhe një amerikan, të publikuar më 11 korrik në revistën Annals of Internal Medicine, përforcojnë idenë se konsumimi i një sasie të moderuar kafeje në ditë (2-3 filxhanë kafe-filtër apo 5-6 ekspres) ka efekte mbrojtëse kundër patologjive të ndryshme. Dhe këto publikime nuk janë të vetmet të cilat tregojnë influencën e saj pozitive. Që prej dekadash, studime të shumta kanë konfirmuar efektet pozitive të kafesë, ndër të tjera, parandalimin e kancerit apo të sëmundjeve kardiovaskulare.
Jeto më gjatë
Në studimin amerikan të 11 korrikut, të kryer mbi 185.000 të rritur, për një periudhë mesatare prej 16 vjetësh, personat që pinin një filxhan kafeje çdo ditë ishin 12% më pak të rrezikuar të vdisnin gjatë studimit, në raport me ata që nuk konsumonin fare, nivel i cili arriti 18% për ata që pinin tre filxhanë kafeje në ditë.
Studimi europian, i publikuar në të njëjtën kohë dhe që analizonte të dhënat e 520.000 pjesëmarrësve me moshë më të madhe se 35 vjeç gjatë 16 viteve, arriti po ashtu në konkluzionin se konsumimi i përafërsisht tre filxhanëve kafeje në ditë, duke përfshirë edhe ato pa kafeinë, ndikon në jetëgjatësinë e personave.
Profesor Elio Riboli, drejtor i Fakultetit të Shëndetit Publik në Imperial College në Londër, i cili mori pjesë në punimet e studimit thotë: “Edhe pse janë të nevojshme më shumë kërkime, mund të themi që rezultatet e këtij studimi të madh europian konfirmojnë konkluzionet e studiuesve të mëparshëm në gjithë botën…”.
Parandalimi i kancerit
Konsumimi i moderuar i kafesë (3 apo 4 filxhanë në ditë) mbron kundër zhvillimit të llojeve të ndryshme të kancerit. “Globalisht, efektet e kafesë ndryshojnë në varësi të llojit të kancerit. Në disa raste, kafeja nuk ka asnjë efekt, por në raste të tjera, ajo është mbrojtëse. Nuk ka asnjë rast kur kafeja është faktor përkeqësues i rrezikut të zhvillimit të kancerit”, shpjegon dr. Astrid Nehling, drejtoreshë e kërkimit në Inserm (Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Kërkimeve Mjekësore në Francë) dhe autore e librit “Kafeja dhe shëndeti, gjithçka mbi virtytet e kësaj pije”.
Në një studim të publikuar në vitin 2011 në Cancer Epidemiology, Biomarkers & Prevention, për shembull, kërkues të Harvard afirmojnë se pirja e 4 filxhanëve apo më shumë kafeje në ditë është e lidhur me reduktimin e rrezikut të zhvillimit të kancerit endometrial (kanceri i indeve të veshjes së brendshme të mitrës) në 25%. Pirja e 2 apo 3 kafeve çdo ditë, redukton rrezikun në 7%.
Edhe në 2013, Shoqata Amerikane e Gastro-Enterologjisë, theksonte se 3 kafe në ditë përgjysmonin rrezikun e zhvillimit të kancerit të mëlçisë.
Lloje të tjera kanceri kanë qenë objekt i studimeve të ngjashme dhe se kafeja redukton rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit, prostatës, pankreasit, lëkurës etj.
Reduktimi i sëmundjeve kardio-vaskulare
“Që nga pirja e filxhanit të parë të kafesë, ka pasur një ulje të lehtë të rrezikut të zhvillimit të problemeve kardiovaskulare. Ky fakt u vërtetua për konsumues të 3 deri në 5 filxhanë kafeje në ditë” shpjegon Dr. Nehlig. Në studimin e publikuar në Annals of Internal Medicine, të kryer në SHBA tek më shumë se 185.000 të rritur, autorët konstatuan një lidhje të fortë midis konsumimit të kafesë dhe uljes së rrezikut të vdekshmërisë si pasojë e sëmundjeve kardio-vaskulare, si për shembull një infarkt apo një arrest kardiak”.
Më pak diabet i tipit II
Kafeja, e cila kësaj here konsumohet në sasi të mëdha, ka gjithashtu cilësi të mira për diabetin e tipit 2. Një meta-analizë e kryer në mbi gjysmë milion pjesëmarrës e publikuar në 2014 në Diabetes Care, arrinte në përfundimin se “konsumimi i 6 kafeve çdo ditë lidhej me reduktimin e 1/3 së rrezikut të zhvillimit të diabetit tip 2”. Në funksion të metabolizmit të gjithsecilit, rekomandohet të mos kalohen 4 filxhanë në ditë (rreth 400 mg kafe në ditë) dhe megjithatë një konsumim i ulët i kafesë, prej 2 filxhanëve në ditë, redukton rrezikun e zhvillimit të diabetit tipit 2.
Lufta kundër sëmundjeve neurodegjeneruese
Si përfundim, studimet kanë treguar efektet pozitive lidhur me sëmundjet e pleqërisë si Parkinson apo Alzheimer. Një artikull i publikuar në vitin 2010, i cili krahasonte përfundimet e 26 studimeve, tregonte se pirësit e kafesë janë më pak të rrezikuar ndaj zhvillimit të Parkinson sesa jokonsumuesit. Sa më i madh të jetë konsumi, aq më pak do të zgjasin simptomat (dridhje, ngurtësim muskular etj.).
Mbrojtja kundër sëmundjeve neurodegjenerative i kushtohet kafeinës. Ndryshe nga mbrojtja kundër patologjive të tjera, të cilat janë të lidhura shpesh me veprimin e antioksidantëve. “Thjesht fare, kafeina do të ketë efekte pozitive mbi të gjitha sëmundjet e lidhura me trurin (si Alzheimer apo Parkinson) dhe antioksidantët do të ndikojnë për mirë në pothuajse të gjithë organet e tjera të trupit, sidomos në rastet e kancerit”, përfundon dr. Astrid Nehling.
Burimi: Le Figaro