Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino ka dalë në një konferencë për shtyp, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ku foli rreth Hetimit epidemiologjik për sa iu përket kontakteve që kanë pasur dy personat e testuar pozitiv me Covid-19.
Profesoresha Bino shpjegoi se janë gjurmuar kontaktet e ngushta me personat e prekur me koronavirus dhe madje janë gjurmuar dhe 24 persona të tjerë, të cilët janë vetëkarantinuar dhe po këshillohen nga specialistët në vazhdimësi.
“Aktualisht janë gjurmuar 8 kontaktet e ngushta me dy të prekurit, menjëherë në darkë, pas daljes së rezultateve të ekzaminimeve. Janë marrë mostrat përkatëse të cilat janë në proces dhe sot janë gjurmuar 24 kontakte që janë vetëkarantinuar dhe kontrolluar dhe po ju merren mostrat përkatëse dhe janë këshilluar. Kemi gjurmuar jo vetëm kontaktet e ngushta, por edhe ato pak më të largët për të qenë të sigurtë. Jemi në fazën që të kufizojmë sa të mundimi përhapjen e sëmundjes. Është i rëndësishëm bashkëpunimi me qytetarët. Pacientët janë treguar korrekt me identifikimin e kontakteve dhe ne kemi bërë gjurmimin e tyre”, u shpreh Bino.
Mjeku Dritan Kalo, pjesë e Task Forcës së ngritur për t’u mbrojtur nga koronavirusi, konfirmoi se dy personat e prekur po marrin trajtimin e duhur dhe shtoi se kushtet në spital janë në përputhje me standardet për përballimin e sëmundjeve të tilla.
“Të dy rastet e konfirmuar po marrin trajtimin e duhur me kërkesat e kësaj sëmundje. Në Infektiv janë paraparë masat e duhur për sëmundje të tilla. Nuk janë dhoma hoteli, por spitali. Janë kushtet më të mira spitalore, në përputhje me standardet spitalore botërore”, u shpreh Kalo.