Paulo Dybala ka dhënë një intervistë për “El País”, në të cilën tregon përjetimet e ndarjes së dhomës së zhveshjes me dy yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, Cristiano Ronaldo te Juve dhe Leo Messi tek Argjentina. Jashtë vëmendjes së yllit bardhezi nuk ka mbetur as dueli kundër Atlético Madridit në Champions dhe filozofia e tij e lojës.
Nënshkrimi i Juventusit me Cristiano – “Shokët e mi më thanë: Ti ke fatin të kesh më të mirin në kombëtare dhe tani edhe në klub. Unë u përgjigja: Nuk e keni gabim. Në fakt, ishte një avantazh për mua. Duke u stërvitur me të dy, mund t’i studioj ato çdo ditë. Kush nuk dëshiron të mësojë prej tyre, të bëhet më i mirë? Ne po flasim për dy fenomene, dy lloje të ndryshme lojtarësh, që janë një, ose dy hapa mbi pjesën tjetër. Ata kanë dominuar në më shumë se dekadën e fundit, kanë qenë në majë, i bënë mirë njëri-tjetrit”.
Marrëdhënia me Messin dhe Ronaldon – ”Unë kam raport të mirë me Cristianon. Ne flasim shumë, ndonjëherë bisedojmë për një kohë të gjatë… për kombëtaren, Juve, por edhe për gjëra, që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin. Edhe me Leon, marrëdhënia është rritur shumë. Ne ndajmë pasditet si shokë në kombëtare, kemi krijuar një grup, që luajmë letra në dhomë (në grumbullime)”.
Simeone – “Kur luan në shtëpi, bën shumë më ndryshe sesa si vizitor. Vitin e kaluar, kur shkuam në “Wanda Metropolitano”, ai luajti shumë mirë. Në asnjë moment nuk kishte ekip mbrojtës, krejt e kundërta. Atletico Madrid ishte një ekip agresiv, që luftoi për çdo top dhe na sulmoi. Në kthim, në Torino, ne prisnim një ekip të ngjashëm, por nuk ishte ashtu. Ekipet e “Cholo” mbrohen mirë”.
Mbarimi i arsimit në kolegj dhe futbolli – “Kam mbaruar kolegjin dhe e vlerësoj këtë. Studimet të japin mjete shtesë në jetë dhe kjo është e qartë. Kjo gjë vlen për të gjithë. Por, për rastin tim, më lejoi të kisha një jetë normale, atë të çdo adoleshenti. Asokohe pata rastin t’i shërbej vetes, mësova të pastroj dhomën, të ndaj gjithçka me shokët. Kjo është shumë e shëndetshme në jetë. Edhe futbolli edukon. Ishte një arsimim që mund të duket i padukshëm, por më mësoi të respektoj shokët, të zbatoj oraret dhe të kem disiplinë. Që atje më është bërë rregull: nëse të shtunën kam ndeshje, të premten duhet të fle herët”.