Në kohën kur jehona e lëvizjes #MeToo vazhdon në mbarë botën, aktori i famshëm australian, Geoffrey Rush fitoi gjyqin për shpifje kundër një gazete të Sidneit, e cila e akuzonte për sjellje të pahijshme ndaj një kolegeje.
Gjykatësi Michael Wigney u shpreh se nuk e kishin bindur incidentet e detajuara nga “The Daily Telegraph”, e të publikuara nga “Nationwide News”.
Ankesat e aktores Eryn Norvill, sipas tij nuk provoheshin me fakte të qarta, ndërsa e gjithë situata i dukej shumë e fryrë dhe e zbukuruar.
67-vjeçarit Rush i takon tani, sipas gjykatësit, një shumë prej 850 mijë dollarësh australianë, ndërsa për kompensimin e plotë do të diskutohet në një datë më të vonë.
Dëmshpërblimi që ai kishte kërkuar fillimisht mbërrinte në 25 milionë dollarë australianë. Aktori i njohur nga “Hollywood”-i është shprehur më herët se raportet e gazetës ia kishin dëmtuar karrierën në mënyrë të pakthyeshme.