Duket “rrufe në qiell të hapur”, diçka e pabesueshme, por mediat italiane e kanë ngritur si pyetje ditën e sotme: Sezoni 2019-2020, a mund të jetë i fundit i “martesës” mes Cristiano Ronaldos dhe Juventusit? Eliminimi i befasishëm nga Liga e Kampioneve i ka ushqyer këto hipoteza për një “divorc” të hershëm mes yllit portugez dhe “Zonjës së Vjetër”.
Për ta rënduar edhe më tej situatën në kampin bardhezi ka menduar “Repubblica”, sipas të cilës, CR7 nuk do t’i thotë mirupafshim Juves këtë verë, por qëndrimi i tij aty duket se nuk do të zgjasë më shumë se 12 muajt e ardhshëm.
Skenar ky, që bie ndesh me “martesën” e firmosur gushtin e kaluar, kur luzitani nënshkroi një kontratë deri në vitin 2022. Në situatat e krijuara, duket se marrëveshja nuk do të respektohet deri në afatin përfundimtar dhe lamtumira do të vijë shumë më parë.
Sezoni i ardhshëm, pra, rrezikon të jetë i dyti dhe i fundit i Ronaldos me fanellën e “Zonjës së Vjetër”. “Gazzetta dello Sport” flet për një hidhërim të madh nga eliminimi prej Ligës së Kampionëve në çerekfinale, ndaj Ajax-it, çka është shoqëruar me një heshtje totale të golashënuesit më të mirë në histori të këtij kompeticioni.
Ajo që zbuloi dje nëna e tij dhe mungesa e postimeve në rrjetet sociale, ku CR7 është një yll, janë shenja të qarta të zhgënjimit. “Njeriu Champions” duket se do t’i kërkojë klubit të ndryshojë diçka për mirë, për ta provuar sërish sezonin e ardhshëm fitimin e këtij trofeu, në të kundërt do të zyrtarizojë “divorcin” e hershëm me bardhezinjtë.