Në maj të vitit 2016 ëndrra u bë realitet. Kosova u bë zyrtarisht anëtari i 55 i UEFA-s. Tashmë kanë kaluar vetëm 3 vite dhe dardanët mund të quhen ende të “rinj”, por një kundërshtar i denjë dhe mjaft i vështirë për t’u përballur. Madje, ata janë duke vendosur rekorde.
Eliminatoret e Botërorit Rusi 2018 mund të konsiderohen dështim, por më pas ka ndryshuar gjithçka dhe Kosova ka pasur vetëm suksese. Nga 9 tetori i vitit 2017, ata nuk ka arritur t’i mund asnjë kundërshtar. 14 ndeshje pa humbje!
Nuk mbajnë ngjyrat kuqezi, por në zemrën e tyre është flamuri me shqiponjën dykrenare. Megjithatë, me uniformat që mbajnë veshur dhe lojën që dardanët janë duke zhvilluar, po “ngatërrohen” me Brazilin.
Ligën e Kombeve e mbyllën në vendim e parë në grupin ku bënte pjesë edhe Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. 4 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje dhe një golavarazh 15 me 2. Një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën, që tashmë është vetëm dy ndeshje larg Euro 2020. Në marsin e vitit të ardhshëm, dardanët do të ndeshen me Maqedoninë dhe në rast fitoreje ndaj tyre, do të shkonin në “finale” me fituesin e çiftit Gjeorgji-Bjellorusi. Triumfi dhe në këtë ndeshje do t’i siguronte përfaqësueses së drejtuar nga Bernard Challandes një biletë për Euro 2020. Atë që Shqipëria e bëri në Euro 2016, historike për kuqezinjtë, dardanët janë shumë pranë ta realizojnë vetëm 4 vite nga pranimi i tyre në UEFA.
Megjithatë, rruga për në Euro 2020 nuk është vetëm kjo… Aktualisht janë duke u zhvilluar edhe eliminatoret e këtij kampionati, ku sërish talentet e shumtë të veshur me ngjyrat verdheblu janë duke shkëlqyer.
Ishin në vazon e pestë në hedhjen e shortit, të vlerësuar si më të dobëtit, por në fushën e blertë, ata nuk janë të tillë. Në 3 ndeshjet e para kanë grumbulluar 5 pikë, dy barazime dhe një fitore, asnjë humbje deri tani. Fitorja e fundit ndaj Bullgarisë në transfertë ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme. Ishin në disavantazh 2-1, por dardanët treguan se kanë vlera të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha talenti dhe dëshira nuk u mungon aspak. Ndeshja zhvillohej në transfertë, madje ndaj një kundërshtari dinjitoz, por në të paktën 20 minutat e fundit zot të fushës ishin futbollistët e Challandes, që finalizuan përpjekjet e tyre me golin e shënuar nga Elbasan Rashani.
“Kosova ishte në vazon e pestë, por po luan shumë mirë. Ata kanë pesë pikë, nuk kanë humbur. Mendojmë se Kosova do të jetë rivali ynë për vendin e dytë në grup”, kështu u shpreh një natë më parë trajneri i Çekisë, e cila ndodhet në vendin e dytë në grup, ndërsa në krye qëndron Anglia.
Ndeshja e radhës për Kosovën do të jetë pikërisht ndaj Çekisë më 7 shtator dhe një fitore ndaj tyre do t’i rriste shumë shanset që Euro 2020 të sigurohej që në eliminatore, pas pasur nevojë për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Ajo që bind më shumë është ecuria e një kombëtareje të mbushur me yje të rinj, si Milot Rashica, Arbër Zeneli, Bersant Celina, e shumë e shumë të tjerë, të cilët janë në kërkim të historisë, e cila duket më pranë se kurrë për ta…