Ishte data 17 janar kur 49-vjeçari Jak Prenga u mor peng në mes të ditës në Kamëz. 11 ditë pas kësaj ngjarjeje, policia njoftoi se 49-vjeçari ka gjetur vdekjen.
Për ngjarjen, autoritetet kanë vënë në pranga 4 persona, të gjithë nga Shijaku. Ata janë Bajram Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri dhe Leonard Hajri.
Hetimet e policisë zbuluan se personat në fjalë, pasi rrëmbyen Prengën u nisën drejt një resorti në pronësi të një personi me iniciale A. H, ku do mbahej peng. Për shkak të goditjeve të marra në Kamzë kur u rrëmbye dhe humbjes së gjakut, 49-vjeçari ndërroi jetë gjatë rrugës.
Pasi gjeti vdekjen, rrëmbyesit u kujdesën që të fshihnin trupin e viktimës. Për gjetjen e tij autoritetet policore vijojnë ende kërkimet në zonën e Shijakut.
Shkak për këtë rrëmbim, thotë policia, është bërë një konflikt që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.
Autoritetet policore thonë se puna për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në organizmin dhe rrëmbimin e këtij personi, me pasojë vdekjen, vijon.
“Për shkak të hetimit, nuk bëhen të ditura detaje të tjera dhe kërkojmë nga media që të mos publikojë informacione të pakonfirmuara, pasi cënojnë rëndë vijimin e hetimeve të kësaj ngjarjeje”, thotë policia në njoftimin e saj për mediat.
Për kapjen e autorëve, autoritetet ushtruan kontrolle në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, ku u gjetën dhe u sekuestruan 2 pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celularë, 4 automjete dhe një shumë eurosh.