Kryesore Ismail Kadare ripropozohet për Çmimin “Nobel”

Ismail Kadare ripropozohet për Çmimin “Nobel”

Në 84-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, i ripropozon Akademisë Suedeze emrin e shkrimtarit shqiptar për Çmimin Nobel.

Edhe pse në mungesë të shkrimtarit, Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në këtë 84-vjetor të lindjes për kontributin e shkrimtarit të madh, ka organizuar një tryezë debati “Kadare dhe letrat shqipe”, ku janë bërë bashkë studiues të letërsisë, pedagogë, shkrimtarë: si Shaban Sinani, Persida Asllani, Alda Bardhyli, Gjovalin Shkurtaj, Viola Isufaj, Diana Çuli, Vera Bekteshi, etj.

Kreu i Akademisë, Skënder Gjinushi, gjatë fjalës së tij, ndërsa vuri në pah çmimet e rëndësishme letrare që Kadare ka rrëmbyer dhe përhapjen e kulturës shqiptare në botë, e ka ripropozuar emrin e tij për Çmimin Nobel.

“Gjatë vitit 2019 Ismail Kadare u shpall fitues i tri prej çmimeve më të rëndësishme letrare dhe intelektuale në shkallë botërore: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai mori trofeun Neustadt (Njustad), që konsiderohet Nobeli i Amerikës. Me çmimin Pak Kyongni (Pak Knjonjí), që iu dorëzua në Korenë e Jugut, Kadare mori një prej vlerësimeve më të larta në një anë tjetër të globit, në Azi, duke e shtrirë në mënyrë sovrane përmasën e veprës së vet në shkallë botërore. Mirënjohja e tretë e vitit 2019 iu kushtua sërish nga vendi që e promovoi për herë të parë si shkrimtar europian, nga Franca. Presidenti francez, Macron, i dha atij titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit. Këto çmime e tituj madhor të fituar rishtas e përligjin plotësisht propozimin tonë të ri, për dhënien e çmimit Nobel në letërsi Ismail Kadaresë për vitin 2020. Jemi të bindur se propozimi ynë ka mbështetjen e shpreh dëshirën e tërë hapësirës shqiptare, pasi roli i veprës së tij në historinë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, është i pazëvendësueshëm”, tha ndër të tjera Gjinushi.

Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, gjatë fjalës për Ismail Kadarenë

Për 84-vjetorin e lindjes shkrimtarin Ismail Kadare e ka uruar edhe presidenti Meta, duke e cilësuar si një kolos krijues me përmasa botërore.

“Gjeniu i letrave dhe i mendimit shqiptar, simboli i vokacionit tonë perëndimor, Ismail Kadare, kolosi krijues me përmasa botërore, që na bën krenar të gjithëve, feston sot 84-vjetorin e lindjes”, shkruan presidenti Meta ndër të tjera.