Bota E pabesueshme në Bruksel, gruaja shtyhet mbi shina, treni ndalon një metër...

E pabesueshme në Bruksel, gruaja shtyhet mbi shina, treni ndalon një metër pranë saj

Një skenë e pabesueshme ka ndodhur të premten e 14 janarit në stacionin e metrosë Rogier të Brukselit. Një i ri ka shtyrë qëllimisht nga pas një grua mbi shinat e stacionit, ndërsa treni po afrohej. Më pas u largua duke vrapuar në anën e kundër.

I sinjalizuar nga personat e pranishëm në trotuar, shoferi ka kryer një frenim emergjence dhe ia doli ta ndalonte trenin një metër pranë gruas që ishte e rrëzuar mbi shina.

Asnjë pasagjer i trenit nuk u plagos nga frenimi i papritur. Ndërsa njerëzit në stacion nxituan të ndihmonin gruan. Autori i gjestit u arrestua pak më vonë, ndërsa gjendej në stacionin e metrosë së De Brouckère. U mor në pyetje nga policia, të cilët e vunë në dispozicion të prokurorisë së Brukselit. Ende nuk dihen arsyet e gjestit dhe nëse ata të dy njiheshin.