Paulin Sterkaj, anëtar i komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, në një intervistë për Top Channel, thotë se nëse do të kishte një ndërhyrje të policisë gjatë kohës, kur po kryhej grabitja në pistën e aeroportit, atëherë me gjasë, grabitësit për të shpëtuar do kishin marrë peng avionin.
“Siguria kombëtare është cenuar. Kjo edhe në rast se do ishte provokacion, ky quhet cenim i sigurisë kombëtare”, tha Sterkaj Deputeti Sterkaj për këtë grabitje flet për një bashkëpunim që shkon përtej 4 personave me rol aktiv në këtë ngjarje.
“Këta persona që grabisin bankat, kanë kallauzin nga brenda. Hetimi duhet të jetë edhe më i thellë se e marrim ne parasysh. Krimineli futet nga gardhi, merr paret dhe ikën pa i thënë kush asgjë. Problemi qëndron tek koncensionari”, shtoi ai.
Sterkaj një ish-punonjës i Policisë së Shtetit deklaron se duhet përcaktim i saktë se kush e ekzekutoi Admir Muratajn.
“Provat e mbledhura në vendngjarje mund të na çojnë tek autorët dhe se duhet hetuar saktë nëse grabitësin e vrau policia apo shokët, që donin të fshihnin provat. Mund të shkoj tek dyshimi se u vra nga shokët”, tha Sterkaj.
Më herët, Sterkaj deklaroi se koncensionari që operon në aeroport, në vend të kontrollit të imtësishëm të pasagjerëve, duhet të sigurojë territorin në Rinas që të mos hyjnë kriminelë.
“Tani gjithmonë këto që thyejnë ligjin janë një hap më përpara në strategjinë e tyre për të bërë grabitjen. Realisht unë nuk i çmoj si të mira masat që janë marrë pas disa rasteve që kanë ndodh në Rinas dhe në rrugën e Rinasit. Duhet të hetohen më në thellësi problemet e lëvizjes së parave.
Asnjë polici private nuk ka të drejtë për të hyrë me armë tek avioni, pasi gjithçka kalon në skaner. Unë i bëj thirrje koncesionarit që operon në aeroport, sa kontrollojnë çantat me kujdes, sa na heqin edhe rripin nga brezi, të sigurojë territorin ku operojnë në Rinas për të mos hyrë kriminelët, siç hynë dje, pasi ka edhe pasoja. Unë mendoj që policia e shtetit ka për të operuar pasi i ka provat”,- u shpreh Sterkaj.