Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij në Kuvend ka treguar se ai do çojë satelitë në orbitë dhe kjo nuk do ndodhë në mandatin tjetër, por vitin tjetër. Kjo për të kontrolluar territorin, kufijtë dhe i gjithë kontrolli të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy.
“Do blejmë drona, do çojmë dhe satelitë në orbitë. Qeshni, kur të shikoni satelitët Shqipëria në orbitë dhe jo në mandatin tjetër, vitin tjetër, Albania 1, Albania 2, në orbitë. Do t’i çojmë dhe ato sepse për ne ky vend nuk është tokë e xanun dhe zhvillimi nuk është që 7 mrekullitë pati bota dhe 8-ën na e sollët ju siç tha ai i foltores bëtë të mundur ndërtimin e parë pa leje të një qyteti të tërë. Kjo ka qenë pretendim për t’u futur si mrekullia e 8 e botës.
Na keni lënë një situatë që do kohë e durim për të pastruar këtu, për të pastruar atje, por ne shohim shumë larg. Po ju them prapë, jo vetëm dronat, dronat po e po, por edhe satelitët në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, kontrolli mbi kufijtë, kontrolli mbi gjithçka të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duar e atyre që kontrollojnë me sy që në atë pikë nuk është se dallojnë shumë me njëri-tjetrin.
Kur vjen puna inspektorët aty me virus janë edhe ata që kishit ju edhe ata që kemi pasur ne, ata kanë virusin nuk diskutohet. Sa më shumë t’i heqim atyre kontrollin e jetës së bizneseve, e jetës së vendit aq më mirë do jetë. Prandaj sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell dhe do i kontrollojmë nga qielli. Ju qeshni sepse të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot për herë të parë jeni në kushtet ku qeshni se nuk qani dot, prapë ju vazhdoni qeshni, nuk ka problem”, u shpreh Rama.