Kontrata e tij mbyllet pas ndeshjes me Francën, e fundit e eliminatoreve të Euro 2020, por edhe pse kombëtarja tashmë është jashtë këtij kompeticioni, me humbjen që mori në Turqi, Edy Reja duket i bindur për të vazhduar.
Sa i përket ndeshjes së nesërme ndaj Moldavisë, Reja ka theksuar se nuk e vlerëson aspak kundërshtarin, ndërsa tregon se nuk do të bëjë shumë ndryshime në formacion.
Është kthyer qetësia te ekipi?
Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë. Më shumë për rezultatin se sa për ndeshjen. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do vijnë. Kemi nevojë që të vijojmë edhe me rezultatet, jo vetëm me lojën.
Do kemi ndryshime në formacion me Moldavinë?
Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullare. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi në ndeshjen me Moldavinë.
E keni nënvlerësuar Moldavinë?
Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi.
Ndaj Moldavisë në transfertë…
Ne e dimë që të luash këtu nuk është e thjeshtë për ne. Ndeshjen e parë na vunë në vështirësi. Shënuam vetëm në fund. Ne do studiojmë si do vendosen në fushë ata, dhe do i përgjigjemi më pas.
Rinovimi me Shqipërinë…
Do më pëlqente të vazhdoja punën me Shqipërinë, por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët. Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri.
Trajneri kundërshtar dhe objektivi…
Të përballem me një eksperiencë si e imja, normale që është e vështirë. Edhe ai do na ketë studiuar, dhe do na ketë ngritur ndonjë grackë. Me rëndësi është që të mos biem në grackë. Nëse jemi këtu në këto pozicione, do të thotë se jemi duke bërë mirë, sepse përndryshe nuk do interesohej kush për ne. Objektivi ynë është vendi i dytë, do luftojmë çdo ndeshje për pikët maksimale. Ai mbetet objektivi ynë primar.