Ekspertë nga Amerika do të vijnë në Shqipëri për të vlerësuar banueshmërinë e ndërtesave që janë prekur nga tërmeti.
Kryeministri Edi Rama e quajti këtë solidarizim të madh për vendin tonë një moment historik që mund të shndërrohet në një moment të jashtëzakonshëm për rindërtimin e Shqipërisë.
E Ngarkuara me Punë, e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones tha gjatë takimit të sotëm: “Zemrat na dhembin për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Ishim me fat që kishim forca speciale amerikane nga Kosova që erdhën menjëherë dhe ndihmuan me operacionet e kërkim shpëtimit. Kemi shkuar përkrah Kryqit të Kuq Shqiptar për ndihmë humanitare. Nga shefi i mbrojtjes kemi marrë kërkesë për artikuj të menjëhershëm për lehtësimin edhe kemi bërë bashkë ekipin e inxhinierëve që do vijnë sot dhe nesër të ndihmojnë në vlerësimin e banueshmërisë së strukturave që janë prekur nga tërmeti”.
Rama: Faleminderit Leyla! E vlerësoj gjithçka keni bërë personalisht dhe ekipet tuaja dhe jam shumë i lumtur të dëgjoj që ekipi juaj të vijë. Edhe kryetari i bashkisë së Nju Jorkut po dërgon një grup ekspertësh, inxhinierë ndërtimi dhe inspektorë do të vinë në vend dhe unë e di që ju atje jeni të pamëshirshëm, askush nuk do ta kalojë dot provën nëse ka diçka që nuk shkon. I kam shkuar një letër presidentit Trump, e nënshkrova sot. Jemi shpresëplotë. Kam ndjesinë që nëse punojmë fort dhe mençur së bashku kjo krizë shumë e thellë mund të shndërrohet në një moment të jashtëzakonshëm për vendin për rindërtimin e tij, e përcjell vërtetë, një epokë të re për Shqipërinë në shumë aspekte. Kam ndjesinë që ne vërtet mund të bëjmë histori në këtë moment, gjithmonë nëse punojmë së bashku. Këtë javë do të kemi vlerësimin final për ristrukturimit e të gjithë buxhetit për të vendosur njerëzit të parë, për të vendosur nevojat e tyre përpara gjithçkaje, por është e pamundur për Shqipërinë që të mos përkulet me këtë peshë që i ka rënë.
Ambasadori i Japonisë, i cili është një shtet me aktivitet të lartë sizmik, ka deklaruar se do të vijnë në Shqipëri sizmologë shumë të zotë dhe specialistë për ndërtime që i rezistojnë tërmetit.
“Japonia është mësuar me tërmete dhe kemi sizmologë shumë të zotë dhe me përvojë dhe specialist me ndërtime që i rezistojnë tërmetit. Do të dërgojnë këtu disa specialistë, si dhe do të dërgojnë tenda dhe mallra”, tha ambasadori japonez në Tiranë.