Aktualitet Eksperti i monitorimit të Reformës në Drejtësi kundër letrës së Metës

Eksperti i monitorimit të Reformës në Drejtësi kundër letrës së Metës

Saimir Visha, eksperti i monitorimit të reformës në drejtësi del kundër letrës së Presidentit Ilir Meta, i cili kërkoi KLGJ informacion për vakancat e Gjykatës së Lartë.

Visha i cili së bashku me ekspertë të tjerë gjatë javës së kaluar morën në pyetje kreun e KED, përsa i përket Gjykatës Kushtetuese këmbëngul se KLGJ është institucion i pavarur.

“Ai mund t’i kërkojë llogari institucioneve që varen drejtpërsëdrejti nga ai, ose që emërohen drejtë për së drejti nga ai. këshilli i Lartë Gjyqësor është pushtet i pavarur, qoftë nga presidenti i Republikës, PS apo PD. Ne duhet të mësojmë që iku koha kur presidenti i Republikës emëronte e dekretonte. Aktualisht presidenti i Republikës nuk ka më rol aktiv në zgjedhjen e kandidatëve për të qenë pjesë e trupës së Gjykatës së Lartë.”, tha Visha.

Situatë mjaft emergjente, kështu e përshkruan Misioni Euralis gjendjen në Gjykatën e lartë e cila ka mbetur me dy anëtarë, njëri prej të cilëve vazhdon nën ethet e vetting-ut.

Për këtë misioni i Bashkimit Europian propozon çeljen e garës dhe një zgjidhje të përkohshme siç mund të jetë zgjidhja e përkohshme e çështjeve.

Top Channel disponon propozimin e Euralius, në të cilin i tërhiqet vëmendja KLGJ-së, për vonesat dhe ku citohet baza ligjore, për transferimin e përkohshëm të një grupi gjyqtarësh që do të jepnin vendime për dosjen, siç janë ekstradimet apo çështjet urgjente.

Top Channel kërkoi një reagim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor se kur do të çelet gara, për vendet vakante, për në Gjykatën e Lartë, e cila tashmë ka arritur pikun e krizës me 32 mijë dosje, që vazhdojnë të qëndrojnë të pashqyrtuara.