Qeveria gjermane i ka hedhur poshtë pretendimet e Greqisë, për dëmshpërblime nga dëmet e luftës së dytë botërore.
Por çështja duket se do të hapet sërish e ta ndezë dhe një herë këtë debat të hershëm.
Arsyeja këtë radhë nuk është Athina, është vetë parlamenti gjerman, një ekspertizë e të cilit e vë në dyshim refuzimin e ekzekutivit.
Shërbimi Shkencor i Bundestagut, thotë DW, i ngarkuar nga partia opozitare “E Majta”, ka hartuar nje raport me titull: “Pretendimet greke dhe polake ndaj Gjermanisë për dëmshpërblime”, ku tregohet se përveç qëndrimit të qeverisë federale, ka edhe qëndrime të tjera, të cilat sipas ekspertëve, mund të merren në konsideratë.
Në fillim të qershorit, me anë të një note diplomatike, Greqia kërkoi negociata me Gjermaninë për reparacionet e dëmeve të luftës.
Qeveria greke, asokohe ende nën drejtimin e Alexis Tsipras, iu përgjigj në këtë mënyrë kërkesës së Parlamentit të Greqisë.
Një komision ekspertësh grekë kishte arritur në përfundimin se Gjermania duhej t’i paguante Greqisë afro 290 miliardë Euro shpërblim për dëmet e kryera gjatë Luftës.
Qeveria gjermane e refuzoi kërkesën me argumentin, se çështja e dëmshpërblimit është “zgjidhur përfundimisht dhe gjerësisht”, si në aspektin juridik ashtu edhe politik në marrëveshjen 2+ 4 që u bë në vitin 1990, për bashkimin e Gjermanisë.
Por në ekspertizën e Bundestagut thuhet se ndryshe nga Polonia, Greqia nuk ka hequr dorë asnjëherë shprehimisht nga kërkesa për dëmshpërblime lufte e ndërkohë, në paktin “2 plus 4” nuk përmenden reparacionet.
Dokumenti i Shërbimit Shkencor të Bundestagut jep përgjigje edhe ndaj pyetjes, se a ka të drejtë Greqia që të kërkojë tani reparacione, kur kanë kaluar mbi 70 vjet pas përfundimit të luftës dhe gati 30 vjet pas Traktatit 2+4 “, për këtë ekspertiza thotë se “parashkrimi i pretendimeve për pagesa ndërshtetërore nuk është rregulluar qartazi në të drejtën ndërkombëtare”.