Policia e Tiranës ka zbardhur detaje të reja në lidhje me shpërthimin me eksploziv gjatë natës në një lokal tek Komuna e Parisit.
Ngjarja është shënuar rreth orës 02:00, në rrugën “Medar Shtylla”, ku lënda plasëse i ishte vendosur lokalit në pronësi të shtetasit me inicialet I.D.
“Më datë 07.07.2017, rreth orës 02:00, në rrugën “Medar Shtylla”, pranë gjeneratorit të energjisë elektrike të një lokali, në pronësi të shtetasit I. D., ka patur një shpërthim.
Nga hetimet paraprake të kryera, rezulton se është vendosur një sasi e vogël lëndë eksplozive, ku për pasojë është dëmtuar pjesa e prapme e gjeneratorit si dhe janë thyer xhamat e një dyqani, që ndodhet pranë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve”, bëjnë me dije burime zyrtare të policisë.