Kolumbia ka ekstraduar në Shtetet e Bashkuara bosin e drogës Dair, Antonio Usugu, i njohur si Otoniel, njoftoi presidenti kolumbian Ivan Duque Marquez.
Otoniel përveç që ishte më i kërkuari dhe lider i klanit Del Golfo, është edhe trafikuesi më i rrezikshëm i qenieve njerëzore në botë, shkruan BBC.
Otoniel u arrestua në tetor pas shtatë vitesh fshehjeje dhe muajin e kaluar Gjykata e Lartë Kolumbiane miratoi ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.
Ai akuzohet në SHBA me akuzën e trafikut të drogës. Autoritetet kolumbiane thonë se klani Otoniel kontrabandonte mes 180 dhe 200 tonë kokainë në vit.
Duke njoftuar ekstradimin, Duque e krahasoi Otonielin me bosin famëkeq kolumbian të drogës Pablo Escobar.
“Ky ekstradim tregon se askush nuk është mbi shtetin kolumbian”, tha ai në një mesazh, duke akuzuar Otonielin për vrasjen e drejtuesve të shoqërisë civile dhe oficerëve të policisë.
Para se të kapej, Otoniel ishte njeriu më i kërkuar në Kolumbi dhe qeveria kolumbiane ofroi një shpërblim prej 800,000 dollarësh për informacion rreth vendndodhjes së tij, ndërsa SHBA ofroi 5 milionë dollar për të njëjtin shërbim.
Del Golfo operon në shumë provinca dhe ka lidhje ndërkombëtare, duke u angazhuar në trafik droge dhe njerëzish, si dhe në miniera të paligjshme arit dhe zhvatje.
Klani besohet të ketë rreth 1800 anëtarë, kryesisht të rekrutuar nga grupe paraushtarake të ekstremit të djathtë. Anëtarët e Del Golfo janë arrestuar në Brazil, Argjentinë, Peru, Honduras dhe Spanjë. Klani ka kontroll mbi shumë rrugë që përdoren për kontrabandën e drogës nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet amerikane i përshkruajnë anëtarët e klanit si “të armatosur rëndë” dhe “jashtëzakonisht të dhunshëm”. Otoniel u arrestua në Kolumbinë rurale, aty ku fshihej, në provincën e Antioquia, pranë kufirit me Panamanë.
Në operacionin për kapjen e Otonielit kanë marrë pjesë 500 ushtarë dhe 22 helikopterë.