Aktualitet SPAK kërkon 3 vite e 6 muaj burg për prokurorin e Sarandës

SPAK kërkon 3 vite e 6 muaj burg për prokurorin e Sarandës

SPAK ka kërkuar 3 vite e 6 muaj burgim dhe 5 vjet heqje e së drejtës të ushtrimit të funksioneve publike, për prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, i cili akuzohet për korrupsion pasiv.

Po ashtu, për këtë çështje është kërkuar burgim edhe për 6 persona të tjerë: Emiljano Mirani, 2 vjet 6 muaj burg; Elson Papa 1 vit burg; Napolon Hodaj 2 vjet burg dhe 5 vjet heqje e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike, Julian Zera 15 muaj burg; Markelian Aliani  3 vjet e 6 muaj burg; Qerim Ruçi 2 vjet e 6 muaj burg dhe Bledar Hajredini 2 vjet burg.

Hasa u vu në pranga në qershor të vitit të kaluar. Shkak për arrestimin e prokurorit është bërë dyshimi se ka pushuar akuzën e plagosjes për Emiljano Miranin, pasi ka marrë ryshfet nga motra e tij, Elsona Papa. Ndërsa për oficerin e Policisë Gjyqësore, Napolon Hodaj, dyshohet se në bashkëpunim me ish- ekspertin mjeko-ligjor, Hysen Korenica kanë mundësuar shpëtimin nga akuzat të një personi të akuzuar për “vjedhje me dhunë” dhe “plagosje”.

Së bashku me këta zyrtarë, janë vënë në pranga edhe katër persona të tjerë mes të cilëve një arbitër i ndeshjeve sportive si dhe një zyrtar i klubit sportiv të Përmetit, të akuzuar për paracaktim të rezultateve sportive si dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Qerim Ruci dhe Bledar Hajredini dyshohet se kanë paracaktuar rezultatin për ndeshjen Selenica-Permeti.

Çështjet janë të pavarura nga njëra-tjetra, por janë zbuluar nga përgjimet e hetimit të parë. Personat e lartpërmendur janë arrestuar në kuadër të një hetimi të nisur në vitin 2020 për  veprat penale të “trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.