Kongresmeni Eliot Engel ka shprehur kritika ndaj administratës “Trump” për qasjen e saj ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si të padrejtë në raport me Serbinë.
“Presioni që i është imponuar Prishtinës për tarifat është i pabalancuar. Diplomatët serbë po lëvizin nëpër vende të ndryshme të globit duke bërë presion për të tërhequr pavarësinë e Kosovës dhe Serbia po i thellon marrëdhëniet me Moskën, duke blerë sasi të konsiderueshme të armatimit rus”, shkruan Engel, duke besuar se kriza e fundit politike në Kosovë, e cila ka çuar dhe në rrëzimin e qeverisë “Kurti” ka si shkak politikën amerikane.
“Departamenti i Shtetit ka kërkuar prej kohësh që Kosova të heqë tarifat e saja ndaj Serbisë. Por kjo administratë shkoi drejt ndëshkimeve ekonomike vetëm pak javë pasi qeveria Kurti mori detyrën.
Në vend që të linte një qeveri të re të ballafaqohej me pandeminë, agjencitë e saj dhe të vendosë procedura të brendshme, SHBA-ja kontribuoi në një krizë politike në Prishtinë mbi taksën për Serbinë.
Ka arsye të mira që Kosova të heqë tarifat, kryesisht se ato po e dëmtojnë Kosovën më shumë sesa po ofrojnë leva për të arritur një marrëveshje paqeje me Serbinë.
Pavarësisht kësaj, tarifat janë një mjet i ligjshëm i një shteti sovran. Si të tilla, ato janë imponuar në të gjithë botën nga presidenti Trump kundër miqve dhe armiqve, njëlloj, për arsye ekonomike dhe politike.
Në vend që të përdorin taktika të tilla me një mik i cili mbështetet në përkrahjen tonë, Shtetet e Bashkuara duhet të kishin punuar me durim me qeverinë tanimë në largim të Kosovës – siç kërkonte të punonte me të mëparshmen për të përmirësuar politikat që promovojnë prosperitetin dhe një jetë të qëndrueshme paqeje.
Një qasje e ashpër ndaj një demokracie të vogël është akti i një ngacmuesi, jo i një partneri të pjekur”, shkruan Engel.
Sipas tij, politika amerikane duhet të korrigjojë veten në raport me Kosovën.
“Diçka nuk është në rregull me politikën e SHBA-së dhe ne duhet ta korrigjojmë atë. Ne duhet të fillojmë me ribalancimin e qasjeve tona ndaj Serbisë dhe Kosovës. Ne duhet të punojmë me aleatët tanë evropianë për t’i trajtuar të dy vendet si partnerë të pavarur dhe sovranë, duke zbatuar standarde të qëndrueshme për të dy palët ndërsa përpiqemi të rinisim bisedimet e paqes. Kur ligji amerikan thotë se duhet të sanksionojmë Serbinë për shkak të lidhjeve të saj të sigurisë me Rusinë, kjo duhet të ndodhë”, arsyeton kongresmeni i njohur.