Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi një tjetër mbledhje për verifikimin e kandidatëve për vendet vakant për në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Në njoftimin për mediat bëhet e ditur se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi lejimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si: Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, Besnik Muçi, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, Fiona Papajorgji, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, Rigelta Panajoti, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës
Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë: Anila Guri (Kristani), për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, Dedë Kasneci për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës nga Kuvendi, Ilir Mustafaj, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, Mimoza Qinami, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës dhe po kështu edhe për Vladimir Gërmenjin për vakancën e shpallur nga kreu i shtetit.
Po ashtu, KED vendosi lejimin e kandidimit të kandidatit Artur Malaj, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si më poshtë: Altin Hazizaj dhe Mimoza Qinami
KED vendosi lidhur me lejimin ose ndalimin e kandidimit të kandidates Fiona Papajorgji për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Kuvendi në datën 28.08.2018, të kandidatëve Elsa Toska dhe Gëzim Allaraj në vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, si edhe për kandidaten Eris Hysi për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shtyhen për mbledhjen e radhës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.