Kryeministri Edi Rama ka tashmë në dorë raportet mbi rezultatin e zgjedhjeve për çdo qark, si dhe të dhënat për gjendjen në administratë dhe situatën ekonomike në vend.
Dy ditët e fundit, shefi i qeverisë publikoi detaje nga raportet, teksa nxori të dhënat për Qarkun Kukës dhe Dibër. Por nga këto raporte, kreu i ekzekutivit ka dhënë një sinjal se cilët do të jenë emrat që do të mbahen jashtë qeverisë “Rama 2”. Sipas burimeve, kryeministri ua ka bërë të ditur deputetëve socialist se në qeverinë e re do të gjejnë vend vetëm ata ligjvënës që kanë korrur rezultat të mirë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Po ashtu, Rama ka kërkuar nga grupi i punës për analizën politike dhe organizative të Partisë Socialiste në çdo qendër votimi nën dritën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit, që raporti të jetë gati brenda gushtit. Sepse një gjë është e sigurtë; kryeministri Edi Rama e ka lidhur fatin e kabinetit të ardhshëm qeveritar në bazë të këtij raporti.
Kështu, Rama nga njëra anë kur të nominojë një ministër, do t’i thotë se performanca e këtij të fundit është e mirë, duke iu referuar raportit, ndërsa nga ana tjetër sërish do justifikohet me emrat që do të lërë jashtë qeverisë, gjithashtu duke iu treguar të dhënat e raportit.
Si duket me këtë lëvizje, kreu i ekzekutivit jo vetëm që synon që Partinë Socialiste ta ketë të kuruar dhe konsoliduar nga baza në qendër, por përmes këtyre analizave, Rama është duke punuar për një mandat të tretë.
Gazeta SOT ka bërë një analizë të detajuar, sa i takon rezultatit në Partinë Socialiste, duke krahasuar zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 me këto të vitit 2017. Këto të dhëna janë nxjerrë dhe nga grupi i punës dhe janë në tryezën e kryeministrit. E teksa i referohemi këtij krahasimi, rezulton se 7 janë emrat të cilët kanë korrur rezultat negativ në zgjedhjet parlamentare të 25 qershor.
I pari është Ilir Beqaj, i cili në Qarkun Dibër ka korrur një rezultat negativ krahasuar me 4 vite më parë. PS në 25 qershor në këtë qark mori 24.795 vota, ndërsa në 2013 mori 25.103 vota, pra një diferencë 308 vota.
I dyti është Ditmir Bushati i cili ka korrur një rezultat negativ krahasuar me 4 vite më parë në Bashkinë Shkodër. PS në 25 qershor mori 20.195 vota, ndërsa në vitin 2013 ka marrë 26.984 vota, pra diferenca është 6.789 vota.
Një emër tjetër është Niko Peleshi, i cili në Bashkinë Korçë ka marrë një rezultat negativ. PS në vitin 2013 mori 34.344 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 23.456 vota, pra diferenca është 10888 vota.
Po ashtu edhe Eduart Shalsi ka korrur një rezultat negativ në Pogradec. PS në këtë bashki në vitin 2013 mori 17.213 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 15.633 vota, pra diferenca është 1.580 vota. Një ndër emrat është edhe Taulant Balla, i cili ka korrur një rezultat negativ në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013 në qarkun e Elbasanit.
PS në qytetin e Elbasanit në vitin 2013 mori 45.047 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 33.129 vota, pra diferenca është 11.918 vota.
Një emër tjetër është edhe Saimir Tahiri. PS në Bashkinë Tiranë në 2013 mori 180.881 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 164.278 vota, pra diferenca është 16.603 vota.
Ndërkohë, edhe Arben Ahmetaj ka korrur një rezultat negativ në Kavajë.
Ahmetaj në Kavajë pësoi dy disfata: Në qytet i humbi zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që humbi dhe ato për kreun e Bashkisë.
Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, në Kavajë, PS ka marrë 5 173 vota ose 39.92 %, duke pësuar një rënie me 11.43 % krahasuar me rezultatin e katër viteve më parë